Surroi nxit komunikimin në mes të Kosovës e Sllovakisë

Udhëheqësi i Klubit për Politikë të Jashtme (KPJ), Veton Surroi, ka theksuar nevojën e mbështetjes sllovake për aspiratën evropiane të Kosovës, që do të nënkuptonte gjetjen e formës se përshtatshme dhe do të mundësonte kontraktualitetin mes Kosovës dhe Bashkimin Evropian.

Surroi i bëri këto komente gjatë qëndrimit në Bratislavë, ku një delegacion i shoqërisë civile nga Kosova po qëndron me ftesë të Komisionit Atlantik të Sllovakisë. Delegacioni i shoqërisë civile nga Kosova pa pasur takime me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme Sllovake, përfaqësues politikë, parlamentarë dhe emra të spikatur të shoqërisë civile.

“Është kjo pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Klubit për Politikë të Jashtme (KPJ) për të nxitur një komunikim më intensiv në mes Kosovës dhe vendeve që ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media.

Në debatin publik me intelektual dhe përfaqësues të shoqërisë civile “Kosova dhe Ballkani Perëndimor – Rruga përpara”, Surroi ka theksuar nevojën e përafrimit të qëndrimit të Sllovakisë me qëndrimin e 22 vendeve anëtare të BE-së karshi statusit Kosovës.

“GJND-ja në vendimin e vet ka dhënë dy qëndrime të rëndësishme, e para, se deklarata e pavarësisë nuk është në kontradikte me ligjin ndërkombëtar dhe, e dyta, se deklarata e pavarësisë nuk ka ndodhur në kontradikte as me rezolutën 1244. Sllovakia mund të ketë arsyet e veta, ose jo, prapa vendimit të saj për të mos e njohur Kosovën, por pas vendimit të GJND-se Sllovakia dhe askush tjetër nuk mund të thirret më në të drejtën ndërkombëtare për të arsyetuar mosnjohjen e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Surroi.

Luan Shllaku nga KFOS, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka theksuar se ideja për ndarjen e Kosovës do të ketë kundërshti të madhe nga të gjitha palët dhe është zgjidhje e papranueshme. “Dialogu nuk guxon të shkoj në atë drejtim. Përkundrazi ky proces duhet të ofroj perspektivë pozitive për dy palët, Kosovën dhe Serbinë. Bashkimin Evropian deri sot ka dështuar të ofroj një stimulim të qarte për Kosovën përderisa është duke ofruar një stimulim të qarte për Serbinë. Dhe për mua kjo paraqet humbje të një shanse të mirë nga ana e BE-së për të zgjidhur një krize historike në Evropë”.

Ndërkohë të premten delegacioni i shoqërisë civile nga Kosova do të takohet me përfaqësues të ndryshëm të partive politike parlamentare dhe përfaqësues të shquar të shoqërisë civile në Sllovaki, vend ky që së bashku me Spanjën, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron, janë pesë nga 27 vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën. 
(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment