Shkodër, zhytësi amator zbulon në Bunë objektet shekullore

Atë që nuk po e bëjnë institucionet përkatëse, po e bëjnë individët e veçantë në sajë të amatorizmit të tyre, por edhe të pasionit që ata kanë për të koleksionuar relikte të historisë. Rasti më i fundit është ai i një qytetari nga Shkodra, Dritan Mehmetaj, i cili, në sajë të disa pajisjeve të thjeshta dhe pas një periudhe prej më shumë se 15-ditore, ka arritur që të nxjerrë nga ujërat e lumit Buna 2 spiranca hekuri dhe një shpatë metalike. Me njohuritë e tij modeste në fushën e historisë, Mehmetaj pohon se mosha e spirancave është rreth 300-vjeçare. “Ka qenë një pasion i vjetër i imi për t’u zhytur në ujërat e Shkodrës”, ka pohuar për mediat Mehmetaj. “Por ndërkohë që unë zhytesha, sytë më kanë zënë objekte të vjetra metalike, ndaj dhe unë vendosa që t’i nxjerr në sipërfaqe. Në fakt, objektet ishin të rënda, ndaj dhe u rashë në qafë disa miqve të mi që të më ndihmonin me një vinç. Pasi i lidhëm me kavo dhe i tërhoqëm në sipërfaqe, pamë që objektet ishin dy spiranca dhe një shpatë”. Ky është rasti i dytë kur Mehmetaj nxjerr nga uji objekte të tilla. Para pak kohësh ai kishte nxjerrë sërish një spirancë hekuri anijesh, duke forcuar më së miri faktet historike të lundrimit të kahershëm në lumin Buna. Megjithëse nuk ka ndonjë informacion të saktë në lidhje me historinë, ai pohon me skepticizëm se mosha e këtyre spirancave është rreth 300-400-vjeçare. Dritani pohon se spirancat e nxjerra nga uji i përkasin kohës së farkëtimit të hekurit në mënyrë artizanale, dhe jo periudhës kur hekuri derdhej në kallëpe të posaçme, e cila daton rreth 150 vite më parë. Vendi ku janë gjetur këto materiale, spiranca dhe shpata prej hekuri, ndodhet fare pranë urës së vjetër të lumit Buna, rreth 10 metra thellësi, në drejtim të rrugës së Shirokës. Dihet nga të gjithë se pranë urës së vjetër të lumit Buna, kur ky lumë ishte i lundrueshëm, aty ka qenë i vendosur porti i Shkodrës dhe dogana, e cila ka funksionuar për shumë vite. Një fakt të tillë e tregojnë më së miri fotografitë e mjeshtërve të fotografisë shkodrane si Marubi, Jakova dhe Pici, të cilët na kanë lënë dëshmi të gjalla të asaj periudhe, kur Shkodra ka qenë qendër tregtare, e cila u shkatërrua nga sistemi komunist për 50 vite dhe u mbulua me hirin e harresës. Zbulimi i këtyre objekteve në prag të nisjes së punës për thellimin e Bunës sjell si nevojë dhe koordinimin e punës me specialistë për zbulimin e objekteve të tjera nënujore.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment