Serbia nuk mund ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në BE

Edhe nëse do të ndodhte që Serbia t’i plotësojë kushtet para Kosovës dhe të integrohet në BE para Kosovës, ajo nuk do të mund ta bllokojë anëtarësimin e shtetit kosovar, vlerëson ambasadori i Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou.

Në një intervistë për Kohën Ditore, për herë të parë ka folur për idenë që edhe në rast të integrimit, Serbisë t’i hiqet mundësia që ta bllokojë Kosovën. Sipas Fitout, BE-ja nuk e do një Qipro të dytë brenda vetes në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë.

Ambasadori francez ka kërkuar nga EULEX-i që të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar ngase, sipas tij, kjo është gjëja më e mirë që ky mision mund ta bëjë për Kosovën. Fitou i ka dhënë mbështetje Task Forcës për hetimin e dyshimeve të raportit të Dick Martyt, pasi që, sipas tij, rezultatet sa më të shpejta të hetimeve do t`i ndihmonin Kosovës.

Ambasadori francez është i lumtur që drafti i memorandumit mes FSK-së dhe MPB-së nuk është jetësuar. Sipas tij, idetë e këtij memorandum janë krejtësisht antidemokratike.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të dëgjojë FMN-në para se të ndodhë më e keqja në raportet me këtë fond. Sipas tij, marrëdhëniet me FMN-në duhet të rikthehen si më parë.

Ambasadori shpreson se do të ketë marrëveshje në dialogun Kosovë-Serbi dhe shpjegon se ai nuk mund të sjellë kurrfarë aranzhimi për veriun e Kosovës. Sipas tij, plani Ahtisaari është zgjidhje e mirë për veriun. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment