Senati amerikan kërkon rezolutë të re për Libinë.

Senati amerikan ka kërkuar një rezolutë të re për Libinë, e cila nëse miratohet, ajo autorizon përdorim të kufizuar të forcave ushtarake amerikane në Libi për një vit.

Në të jepen detaje se ushtria amerikane do të luajë një rol mbështetës në fushatën e udhëhequr nga NATO dhe se nuk do të ketë dislokim të trupave tokësore amerikane në Libi.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, John Kerry, thotë se justifikimi për ndërhyrje në Libi është bindës dhe i qartë.

“Ajo çfarë po ndodh tani në Lindjen e Mesme mund të jetë ndryshimi më i rëndësishëm gjeostrategjik që nga rënia e Murit të Berlinit. Premtimi që mban lëvizja pro-demokratike është se ajo mund të transformojë gjithë botën arabe dhe e gjithë kjo mund të nënkuptojë për Shtetet e Bashkuara shpresën për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve, shpresën për shuarjen e niveleve të ekstremizmit fetar, shpresat për reduktimin e terrorizmit, të gjitha këto përfshihen në këtë zgjim arab”, tha Kerry.

Senatori Kerry tha se këto shpresa do të shuhen nëse kolonel Gaddafi mbijeton dhe aspiratat e popullit shtypen.

(gazetaexpress.com)



No comments:

Post a Comment