Pushime, leje të munguara dhe frika nga retë vullkanike, Shqipëri, si është e vërteta?

Shtypi argjentinas është i bindur se diçka tjetër fshihet pas mosudhëtimit të disa prej futbollistëve më të mirë kuqezinj drejt Buenos Airesit, në një miqësore që duhet të konsiderohej lluksi për ne: “Mos vallë i druhen një poshtërimi?”
“Un misterio!”. Kjo është fjalia që shtypi argjentinas përdor shpesh për të shpjeguar mosgrumbullimin e disa prej figurave kryesore të Kombëtares së Shqipërisë në miqësoren që do të zhvillohet të hënën në mbrëmje. “Për ne është historike”, është shprehur trajneri Josip Kuzhe, por për lojtarët kuqezinj ndoshta nuk është kështu. Dhe, mediat argjentinase përdorin fjalën mister pikërisht për të shfaqur atë dyshim mbi motivet e vërteta të Canës, Bogdanit dhe të tjerëve, të cilët do ta ndjekin nga tv ndeshjen.

“Shqiponja nuk kalon dot oqeanin”

Sipas “La Nueva Provincia”, e përditshme argjentinase, misteri shtohet më shumë, kur arsyet e mungesës së gjashtë futbollistëve që formojnë boshtin kuqezi, zbulohen nga trajneri Kuzhe. Hamdi Salihit i është mohuar leja e klubit të Rapid Vienës për të udhëtuar në këtë miqësore në Amerikën Latine, ndërsa Lala, Agolli dhe Skela kanë nevojë të pushojnë, duke qenë se janë ndoshta në vitet e tyre të fundit të karrierës. Por, situata më e jashtëzakonshme është ajo e Currit, që prezanton martesën si motiv për të munguar, ndërsa Bogdani pret të bëhet baba. Cana, tepër i impenjuar me merkaton, nuk ka kohë të sfidojë ndoshta Kombëtaren e dytë më të mirë në Botë. Atëherë, lind pyetja: “Shqiponja e ka të vështirë të kalojë oqeanin?”. Dhe “La Nueva Provincia” jep një përgjigje e cila ironizon disi: “Ndoshta kanë frikën e një poshtërimi, që i tillë s’mund të jetë, duke qenë se flitet vetëm për një miqësore dhe asgjë më shumë. Çdo kombëtare në botë do të kishte qenë e lumtur të sfidonte Argjentinën në miqësore, por jo Shqipëria dhe ky është një mungesë respekti për Mesin me shokë… Të kishte qenë një Kombëtare tjetër, ndoshta të gjithë do të linin impenjimet e tyre. Madje, ka edhe nga ata që shfaqin arsye të çuditshme, si reja vullkanike dhe udhëtimi i gjatë. Mos vallë dikush i ka thënë se do ta bëjnë me not rrugën…”.

“Luajmë kundër çiliminjve”

E përditshmja “Larazon” e rrit më shumë dozën, duke përdorur fjalën “çiliminj” për të cilësuar të rinjtë që Kuzhe ka marë me vete në Buenos Aires. Sipas tyre, Bici, Arapi, Veliu, Sallaj, apo edhe Vila, Bakaj dhe Vajushi janë elementë që shumë mirë mund të jenë pjesë e Kombëtares B të Shqipërisë dhe kurrësesi titullarë, apo qoftë edhe stoli… Një ironi e rëndë kjo, e cila prek thuajse prek sarkazmën, kur thuhet se ekziston frika e një publiku të vogël në krahasim me ndeshjet e tjera që Kombëtarja ka zhvilluar.



Miqësore? Jo, stërvitore…



Batista është duke menduar ende për formacionin që do të hedhë në fushë për ndeshjen e fundit përpara startit të Kupës së Amerikës, por e vërteta është se ai e ndien peshën e fajit që zgjodhi pikërisht këtë takim, kundër një ekipi që është i renditur në vend të 50-të në renditjen Botërore të FIFA-s dhe në vend të 29-të në Europë, i cili do të luajë me rezervat e tij. Pra, një stërvitore dhe jo miqësore, ku Argjentina s’do të mund të provojë vërtet formacionin e saj titullar.
(www.sportekspres.com)

No comments:

Post a Comment