Bashkiakët, gjoba ilegale lokaleve

“Punonjës të Policisë Bashkiake në Tiranë lejojnë subjekte tregtare të zhvillojnë aktivitete të palicencuara, duke u marrë pronarëve të tyre shuma parash që variojnë nga 30 deri në 100 mijë lekë”.
Lajmi bëhet i ditur nga një vendim i zbardhur i Gjykatës së Tiranës. Bëhet fjalë për vendimin që caktoi pak ditë më parë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Agron Doçin, një polic bashkiak të arrestuar për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Efektivi i Bashkisë, Doçi, u arrestua ditët e para të muajit qershor. Sipas Prokurorisë, pak çaste para arrestimit ai kishte marrë një ryshfet nga pronari i një lokali. Por, në të vërtetë, “pronari” ishte një i infiltruar i Policisë dhe efektivi Doçi ra pre e një “stimulimi” të dhënies së ryshfetit. Sipas vendimit, të gjitha veprimet janë dokumentuar me anë të përgjimeve ambientale, telefonike dhe vëzhgimeve në terren nga agjentët e Policisë. Ne pjesën arsyetuese të vendimit të Gjykatës, pohohet se vetëm në rrugën “Myslym Shyri” ushtrojnë aktivitet të palicencuar 100 subjekte. Por, sipas vendimit, punonjësit e Policisë Bashkiake, ndonëse janë në dijeni të faktit, nuk kanë marrë masa. “Nga të dhënat e marra në rrugë operative nga ana e Policisë, rezulton se këta punonjës lejojnë këto subjekte të ushtrojnë aktivitet të palicencuar, duke marrë prej tyre shuma parash që variojnë nga 30.000 deri ne 100.000 lekë”, thuhet në vendimin e zbardhur. Më poshtë publikohen pjesë nga arsyetimi i vendimit të Gjykatës që caktoi “arrest shtëpie” për efektivin Doçi.

I INFILTRUARI
Më datë 30.05.2011, nga ana e Policisë gjyqësore, duke qene se kishte dyshime se punonjësi i Policisë Bashkiake me emrin Agron, po kërkonte ryshfet në këmbim të zhvillimit të aktivitetit pa u regjistruar më parë në organet përkatëse, është kërkuar futja e agjentit të Policisë Gjyqësore, i cili do të prezantohej me emrin “Edi”, për simulimin e aktit korruptiv, duke u sjellë si qiramarrës në lokalin “P… L…”, i ndodhur në rrugën “Dora D’istria” Tiranë. Në vijim të asaj çka thamë më sipër, duke qenë se në rastin konkret dyshohej se bëhej fjalë për një vepër penale për të cilën parashikohet dënim jo më pak se, maksimumi, dy vjet. Nga ana e prokurorit, për nevoja të hetimit të kësaj çështje është autorizuar përgjimi i bisedave ambientale në vende publike dhe simulimi i aktit korruptiv. Mbi bazën e autorizimit të prokurorit, agjenti i Policisë Gjyqësore i koduar me emrin “Edi” është telefonuar nga shtetasi me emrin Agron, i cili është prezantuar si punonjës i Policisë Bashkiake dhe kanë lënë takim te lokali “P… L…”. Nga përgjimet ambientale, shtetasi me emrin Agron, i veshur me uniformë si ato që mban Policia Bashkiake, i ka kërkuar personit me emrin “Edi” shumën prej 15.000 lekësh, duke i premtuar se mund ta vazhdonte aktivitetin pa u pajisur me dokumentacionin ligjor pranë Bashkisë Tiranë. Shtetasi i njohur me emrin Agron, i ka kërkuar Edit që po atë ditë, rreth orës 18:00, domosdoshmërisht shumën prej 10.000 lekësh.
STIMULIMI
Sa thamë më sipër, duke qenë para kushteve ligjore për autorizimin e këtij veprimi nga ana e prokurorit, është autorizuar kryerja e këtij veprimi (simulimi i aktit korruptiv). Kështu, me datë 30.05.2011, rreth orës 18:50, personi i prezantuar me emrin Edi, është takuar me punonjësin e Policisë me emrin Agron dhe, sipas bisedës që ishte bërë disa orë më parë, personi me emrin Edi i ka dhënë Agronit, shumën prej 10.000 lekësh në këmbim të mosplotësimit të dokumentacionit ligjor pranë Bashkisë Tiranë. Nga ana e Policisë Gjyqësore është verifikuar se punonjësi i Bashkisë është shtetasi Agron A. Doçi. Nga transkiptimi i bisedave ambientale, rezultuan se i dyshuari Agron Doçi merr përsipër të ndërhyjë te persona të tjerë të administratës shtetërore. Policia Gjyqësore ka verifikuar se punonjësi i Bashkisë ka numër telefoni 06940…..dhe, ka bërë kërkesë për vënien në përgjim të numrit të telefonit të këtij shtetasi, me qëllim sigurimin e provave të tjera për këtë aktivitet kriminal të tij dhe personave që bashkëpunojnë me këtë shtetas. Mbi bazën e kërkesës së bërë nga Organi i Prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vlerësuar vendimin që autorizon fillimin e përgjimit të komunikimeve telefonike të numrit të celularit 06940xxxxx. Më datë 03.06.2011, në numrin e telefonit që mbante personi i koduar me emrin Edi, është telefonuar nga numri celular 06940xxxxx, që disponohej nga i dyshuari Agron Doçi, ku ky i fundit i ka kërkuar që të takoheshin dhe kanë lënë takim rreth orës 18:00 te lokali “P… L…”. Rreth orës 18:00, Agroni ka shkuar te lokali “P… L…” dhe është takuar me shtetasin me emrin e koduar Edi. Pasi kanë biseduar në lokal për disa minuta, Agroni ka marrë nga Edi shumën prej 5000 lekësh. Më pas ka lëvizur me benzin e tij dhe ka dalë në rrugën “Sami Frashri”. Pasi ka dalë në këtë rrugë para se të shkoj te rreth-rrotullimi, është takuar me një person. Pas këtij takimi, Agroni ka marrë rreth-rrotullimin dhe është futur në lokal po në rrugën “Sami Frashri”, ngjitur me lokalin e “Kreperisë”. Në këtë moment, Policia Gjyqësore, duke qenë në ndjekje e sipër të tij ka bërë kapjen në flagrancë të të dyshuarit Agron Doçi dhe nga kontrolli që i është bërë, në xhepin e majtë të pantallonave i është gjetur shuma prej 5000 lekësh; para këto që, sipas proces verbalit të datës 30.05.2011, i janë dhënë agjentit të autorizuar për simulimin e aktit korruptiv.



(ARMAND BAJRAMI/panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment