PS paralajmëron sërish ankesë.

Socialistët do të çojnë një ankesë të re në Kolegjin Zgjedhor për garën për Tiranën. Kjo pas përfundimit të procesit të numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar dhe në 368 qendra votimi, bazuar në një vendim të Kolegjit Zgjedhor.

Deputeti Blendi Klosi përmend disa prej argumenteve ku Partia Socialiste do ta bazojë ankesën, që shkon deri te kërkesa për pavlefshmëri të zgjedhjeve.

“Ankesa do të vazhdojë të jetë për pavlefshmërinë e këtyre fletëve të votimit, dhe më pastaj ne kemi një proces, i cili është mbarsur me shumë parregullsi. Gjithë qytetarët e panë drejtpërdrejt se si ishte tjetërsuar vullneti i qytetarëve pasi kutitë ishin dëmtuar, kodet ishin të ndryshuara. Në 11 njësitë e qytetit kemi mospërputhje të fletëve të votimit. Prandaj, në qoftë se në komuna të caktuara apo në njësi të vogla bashkiake ka ndryshuar rezultati, apo është quajtur pavlefshmëri, qoftë edhe për 3 vota, 5 ose 8 vota, si mundet në Tiranë, me qindra vota që përbëjnë pavlefshmërinë, të quhet një proces normal?!”, theksoi Klosi.

Por përfaqësuesi i LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve,Ylli Manjani, thotë se Partia Socialiste tashmë ka pak hapësirë për t’u ankuar në Kolegj.

Duke përforcuar argumentin e tij, Manjani thotë se pretendimi për pavlefshmëri është jashtë afatit dhe logjikës juridike.

(gazetaexpress.com)




No comments:

Post a Comment