Presidenti Topi pret nobelistin Muradi.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot nobelistin me origjinë shqiptare dhe njëkohësisht edhe “Nderin e Kombit” tonë, Dr. Ferid Muradin si dhe delegacionin që e shoqëronte me rastin e vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Presidenti Topi vlerësoi përkushtimin dhe arritjet e Dr. Muradit në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor, të cilat kanë merituar njohjen e bashkësisë së shkencëtarëve dhe mjekëve në mbarë botën.

“Për të gjithë të rinjtë shqiptarë që ua kanë kushtuar studimet e tyre mjekësisë dhe kërkimeve shkencore, pa të cilat nuk mund të mendohet zhvillimi i një vendi e i një populli, një shembull i tillë vullneti dhe vendosmërie profesionale shërben si një model dhe motiv i fortë për punën e tyre në të ardhmen”, – u shpreh Presidenti, duke theksuar se jeta dhe vepra e nobelistit me origjinë shqiptare përbëjnë një nder dhe pikë referimi jo vetëm për të gjithë kombin tonë, por edhe për shkencëtarët shqiptarë dhe më gjerë, thuhet në faqen zyrtare në internet të presidencës.

Nga ana e tij, Dr. Muradi falënderoi Presidentin Topi për mikpritjen, duke shprehur gjithashtu kënaqësinë e veçantë për takimin si dhe duke përshëndetur ndryshimet rrënjësore dhe arritjet e mëdha që ka shënuar Shqipëria gjatë dekadave të fundit.

Kryetari i Shtetit dhe Nobelisti me origjinë shqiptare, Dr. Ferid Muradi gjatë bashkëbisedimit të ngrohtë e miqësor, theksuan domosdoshmërinë e arsimimit të brezit të ri të shkencëtarëve shqiptarë dhe thellimit të kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e mjekësisë, duke vënë në dukje rëndësinë që ka rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor, sigurimet shëndetësore, investimet në këto fusha si dhe përsosja e mëtejshme e kërkimit shkencor për mirëqenien e qytetarëve shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre. 

(albeu.com)



No comments:

Post a Comment