Atentati në Bllok, për tregtinë e kromit. Vrasje me pagesë.

Atentati me armë në mes të Bllokut mbrëmjen e së hënës, ku mbeti i vrarë 32-vjeçari Nadien Zeneli dhe u plagosën dy kushërinjtë e tij, cilësohet nga policia si vrasje me pagesë.Autori i ngjarjes, sipas policisë, dyshohet të jetë vrasës profesionist me pagesë. Skena e krimit ka qenë një aksion gjakftohtë dhe, me sa duket, i organizuar deri në detaje, pasi autori ishte i panjohur për dy të plagosurit, Bledar Miho dhe Tafë Mandri, të cilët ndodheshin bashkë me viktimën në një tavolinë në lokalin ku ndodhi ngjarja. Vrasësi ka qëlluar në një distancë të afërt me një armë pistoletë, ndonëse ka qenë i pamaskuar. Ai ka lëvizur në këmbë, por edhe pse në një zonë të populluar, askush nuk ka mundur ta identifikojë autorin e krimit. Nga hetimet rezulton se ai ka pasur një objektiv të qartë, ekzekutimin e Nadien Zenelit pasi ka hyrë qetësisht në lokal dhe pa mëdyshje e vonesë është drejtuar te tavolina e 32-vjeçarit pa ngjallur asnjë dyshim. Më pas ai ka shkrehur armën pesë herë, ndërsa tre nga plumbat kanë prekur viktimën. Në lidhje me zbardhjen e ngjarjes, përcaktimin e motiveve të krimit dhe zbulimin e “porositësve” të atentatit të dy ditëve më parë, policia ka ngritur dje pistat e para hetimore.

Hetimi i policisë
Burime nga grupi i hetimit thanë se po verifikohet me hollësi e shkuara e viktimës dhe dyshimet për përfshirjen e tij në disa ngjarje kriminale të ndodhura gjatë dhe pas vitit 1997, kryesisht në Fushë-Krujë dhe Dibër. Gjithashtu po hetohen edhe problemet e tij personale, pasi u verifikua divorci i tij nga ish-bashkëshortja, me të cilën kishte dy fëmijë. Një pistë tjetër që po verifikohet nga policia janë edhe konfliktet e viktimës në Bulqizë, çështje që kanë të bëjnë me minierat e kromit, për të cilat ai pretendonte se ishte pronar i tokës, duke qenë se vendi i origjinës së viktimës është pikërisht fshati Tërnovë, ku shtrihet aktiviteti i kromit. Megjithatë, ky është një dyshim jo primar për grupin hetimor, pasi rezulton se Zeneli nuk ka pasur ndonjë dokument pronësie, siç pretendonte, dhe nuk është i regjistruar si pronar i mundshëm i vendit ku ndodhen minierat. Për këtë konflikt rezulton që Nadien Zeneli, bashkë me dy të tjerë, ka qëlluar në drejtim të disa personave me armë zjarri rreth një vit më parë. Ndërsa është verifikuar edhe një incident 4 ditë më parë, ku rezulton që viktima ka kërcënuar punonjësit e minierës që ata të largoheshin nga prona e tij. Policia lokale tha dje se Nadien Zeneli nuk njihej si pronar tokash në zonën e minierave në Bulqizë.
Aktiviteti kriminal
Hakmarrje ose larje hesapesh. Këto janë dy motivet e mundshme që sipas grupit hetimor sollën vrasjen e 32-vjeçarit Nadien Zeneli mbrëmjen e së hënës në një lokal tek ish-Blloku. Nga verifikimet e kryera gjatë ditës së djeshme në lidhje me të shkuarën e viktimës, policia ka zbuluar disa ngjarje ku ai dyshohet të ketë qenë i përfshirë, edhe pse të paprovuara asnjëherë nga drejtësia. Burimet sqaruan se ngjarjet ku Zeneli dyshohet se mund të jetë përfshirë datojnë që prej vitit 1997, kur u hodh në erë Bashkia e Fushë-Krujës, ku familja e tij jeton prej vitesh, pasi ishin larguar nga Dibra. Gjithashtu ai dyshohej si i përfshirë edhe në ngjarjen e vitit 1999, ku mbetën të vrarë dy punonjës policie, Arjan Keçi e Durim Kasmi, për të cilët u arrestuan 3 persona, që akuzoheshin se kishin marrë hak ndaj policëve për vrasjen e një pjesëtari të fisit Haka nga Nikla e Krujës. Sipas policisë, edhe Nadien Zeneli ishte një prej miqve të vëllezërve Shkëlqim e Enver Haka, të vrarë vite më parë në Fushë-Krujë dhe një prej dëshmitarëve në gjyqin për vrasjen e dy policëve Keçi e Kasmi. Por sipas policisë, ai nuk ishte vetëm një dëshmitar, por edhe i dyshuar si i përfshirë në atë vrasje. Ndërsa paralelisht me këto ngjarje të hershme, grupi hetimor po verifikon edhe përfshirjen e mundshme të Nadien Zenelit në trafiqe të paligjshme, që mund të ketë sjellë vrasjen për larje hesapesh.

Zyrtare, hetimi për konflikte të mëparshme

Drejtoria e Policisë së Tiranës theksoi dje se për hetimin e vrasjes së Nadien Zenelit dhe plagosjes së dy shtetasve që ndodheshin me të në tavolinë, u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor. Të paktën dhjetë persona, të konsideruar dëshmitarë, janë thirrur dje në polici për të dhënë deklarime mbi ngjarjen. “Paraprakisht dyshohet se autor i vrasjes dhe i plagosjes së dyfishtë të jetë një person, ku mendohet se kjo ngjarje të ketë motiv konflikte të mëparshme të viktimës”, thuhej dje në deklaratën e zyrtare të Policisë. Sipas përshkrimeve të dëshmitarëve, autori i krimit ka qenë një shtetas i moshës 25-30 vjeç, i veshur me një bluzë të bardhë dhe me një palë pantallona të zeza. Ai ka vepruar shpejt dhe pa mëdyshje, ndërsa sipas të dhënave policore, dëshmitarët kanë thënë se autori i krimit e kishte mbushur armën para se të hynte në lokal.

Policia: Zenelit iu gjet armë me vete pas vrasjes

Policia e Tiranës, me anë të një deklarate, sqaroi dje ngjarjen e ndodhur tek ish-Blloku. Sipas policisë, mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22:00, në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë, përpara lokal “Baroque”, është vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasi Nadien Faik Zeneli, 32 vjeç, lindur në Ternovë të Dibrës e banues në Fushë-Krujë. Në skenën e krimit janë plagosur shtetasit Tafë Ukë Mandri, 23 vjeç, lindur në Shumat të Dibrës e banues në Paskuqan, Tiranë, si dhe shtetasi Bledar Nazif Miho, 25 vjeç, lindur në Qafë-Murre, Dibër, e banues në Tiranë, të cilët u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe momentalisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia e Tiranës tha se në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë oficerë të policisë për hetimin e krimeve të rënda, ekspertë kriminalistë, të cilët bënë të mundur sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat. Në vendin e krimit mësohet se është gjetur një armë zjarri tip pistoletë e markës “Rossi”, e cila ishte fiksuar në brezin e viktimës Nadien Zeneli.

Nadien Zeneli krijoi kompaninë më 4 maj

TIRANE – Të paktën nga dokumentet zyrtare, pista e vrasjes për shkak të biznesit duket pa baza të forta në rastin e atentatit ndaj Nadien Zenelit. Kjo pasi ai kishte vetëm pak kohë që e kishte regjistruar kompaninë e tij me NIPT L11704003K në emrin e tij Nadien Zeneli. Vendi i ushtrimit të aktivitetit, sipas të dhënave nga QKR, është rruga “Bajram Curri”, Nr. 17, Tiranë. Sipas të dhënave të QKR-së, fusha e veprimtarisë së kompanisë ishte “kërkim, zbulim dhe tregtim i mineraleve të ndryshme”. Kompania në fjalë është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në datën 4 maj 2011 dhe aktualisht është me status aktiv. Kjo është të paktën, sipas dokumenteve zyrtare, veprimtaria në biznes e Nadien Zenelit. Në formularin e aplikimit për këtë aktivitet ai ka plotësuar se nuk ka punëtorë dhe se është i vetëpunësuar në subjektin në fjalë. Pavarësisht këtyre të dhënave që, me sa duket, hedhin poshtë mundësinë e vrasjes për konkurrencë në biznes, policia pohoi dje se është duke verifikuar përfshirjen e 32-vjeçarit në mënyrë jozyrtare në aktivitete të ndryshme biznesi në Tiranë dhe në Fushë-Krujë.

(24-ore.com)



No comments:

Post a Comment