Përsëritje në të paktën 8 njësi administrative

“Tradita” elektorale shqiptare konfirmohet edhe në 8 maj 2011. Problemet e hasura në procesin zgjedhor që ditën e votimit apo edhe shpallja e pavlefshmërisë si nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo edhe Kolegji Zgjedhor, ka përvijuar atë që mund të quhet raundi i dytë i zgjedhjeve për pushtetin lokal, e që aktualisht do të zhvillohet të paktën për 8 njësi administrative në vend. Sipas informacioneve zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nisur nga situata zgjedhore e krijuar në 8 maj dhe procesi i shqyrtimit të kërkesave ankimore, komunat Shllak dhe Shalë në Qarkun Shkodër, komuna Papër dhe Pishaj në Qarkun Elbasan, komuna Kolsh në Qarkun Kukës, komuna Armen në Qarkun Vlorë dhe komuna Mollaj në Qarkun e Korçës, janë deri më tani në listën e njësive që do t’i nënshtrohen sërish procesit të votimit për zgjedhjen e organeve të pushtetit vendor.

Kjo shifër, që është minimale në raport me 384 njësitë vendore në të gjithë vendin, nuk është përfundimtare, pasi në proces shqyrtimi janë edhe disa kërkesë-padi ndaj vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor. Bie në sy se në ndryshim nga disa procese zgjedhore të mëparshme, ripërsëritja apo pavlefshmëria ka prekur vetëm komunat dhe jo bashkitë, duke dëshmuar kështu një administrim dhe monitorim të mirë të procesit zgjedhor. Po kështu, dy nga 8 komunat në fjalë kanë kaluar për përsëritje zgjedhjesh që në datën 8 maj, për shkak të mbylljes së qendrave të votimit për më shumë se 6 orë dhe problemeve me bazën materiale dhe marrjen e saj në dorëzim.Sa i përket datës së zhvillimit të raundit të ri zgjedhor, vendimmarrjen për këtë e ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili është i detyruara të presë edhe për këtë çështje përfundimin e procesit ankimor. Kuadri ligjor që rregullon procedimin referohet në Kodin Zgjedhor, përkatësisht në nenin 161, që saktëson rregullat që ndiqen në rast të përsëritjes së zgjedhjeve. “Zgjedhjet e shpallura të pavlefshme dhe për të cilat KQZ-ja ka vendosur përsëritjen, sipas këtij neni, përsëriten në një ditë të vetme për të gjitha zonat zgjedhore ku është vendosur përsëritja e tyre. Vendimi për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ-ja me përfundimin e procedurave ankimore, sipas kësaj pjese ose me kalimin e afateve ligjore të ankimimit të përcaktuara në këtë pjesë. Përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit”, - thuhet në pikën 6 të dispozitës në fjalë.



Kështu, në një përllogaritje teorike të kohës kur mund të zhvillohen sërish zgjedhjet, i bie që diku nga mesi apo fundi i muajit korrik KQZ-ja të urdhërojë përgatitjen për raundin e ri elektoral në komunat e mësipërme, meqenëse tanimë procesi ankimor në Kolegjin Zgjedhor ka përcaktuar si datë fundore për gjykimin e çështjeve të ardhura nga subjektet zgjedhore 15 qershorin. Po të merret në konsideratë se edhe dy çështje të tjera po shqyrtohen në KQZ dhe parimisht mund të shtyhen edhe më tej në Kolegj, atëherë si datë finale për përmbylljen e të gjithë fazës ankimore i bie të jetë diku nga data 20 qershor. Prej këtej, edhe vendimmarrja e KQZ-së, që është e detyruara të presë për caktimin e një date të re, përkon me 4 javët e kërkuara nga ligji e që dikton finalizimin e procesit elektoral të 8 majit, në kuptim të shpalljes së një rezultati përfundimtar në shkallë vendi jo më parë se muaji gusht.
(peshkupauje.com)

No comments:

Post a Comment