Përkujtohet aktori i madh, Bekim Fehmiu.

Me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të aktorit shqiptar të madh, Bekim Fehmiu, në Prishtinë u mbajt akademi përkujtimore, ndërsa u njoftua se së shpejti do të formohet çmimi për kinematografi “Bekim Fehmiu”.
Akademia u mbajt të mërkurën në Teatrin Kombëtar i Kosovës, ku aktor dhe dashamirës të Fehmiut vendosën lule në shkallët e Teatrit Kombëtar.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka thënë se jeta, vepra dhe kujtimi i artistit Bekim Fehmiu, janë personifikim i krenarisë artistike, dhe i krenarisë kombëtare, si dhe frymëzim artistik për të gjitha gjeneratat e ardhshme.

“Në këtë përvjetor të parë të humbjes së aktorit tonë të madh Bekim Femiut, padyshim që të gjithë ne e rikujtojmë veprën e tij, karrierën e tij. Një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme, e cila secilin prej nesh e ka bërë dhe ende e bënë që të ndjehet mirë dhe krenar. Ai ka përfaqësuar vlerat e artit filmik të Kosovës, jo vetëm në ish-Jugosllavi, por në gjithë botën, andaj të gjithë ne njerëzit e artit, por edhe institucionet e vlerësojnë këtë fakt dhe padyshim do ta kemi parasysh veprën e tij përgjithmonë”, tha Krasniqi.

Ministri Krasniqi po ashtu deklaroi se çmimi që do t’u jepet njerëzve më të suksesshëm të kinematografisë, do të mbajë emrin e aktorit të ndjerë Bekim Femiu.

“Unë mund të konfirmoj se ne së shpejti edhe formalisht do të instituojmë çmimin për kinematografi, i cili do të mbajë emrin e aktorit të madh Bekim Femiut dhe që do të jetë një çmim vjetor, i cili do t’u jepet njerëzve më të suksesshme të fushës së kinematografisë”, tha ministri Krasniqi.

Ndërsa regjisori, Ekrem Kryeziu tha se Bekim Fehmiun e rrezatonte një energji pozitive dhe se çdo punë që e niste ai përfundonte me përsosshmërinë e tij.

“Jemi këtu ta përkujtojmë një ditë humbje të një aktori, te një njeriu, i cili ka jetuar për art dhe pikërisht në kuadër të asaj dëshire që të jetë arti i tij i përkryer, ka qenë tekanjozë në kërkim të bukurës në pafundësinë e kësaj bote. Kamë qenë një ndër të paktët që kam pasur rastin të jem bashkëpunëtori i tij, por që nuk kem arrit të përfundojmë një punë të nisur bashkërisht. Më ka lënë mbresa të mrekullueshme, sepse Bekimi ishte një njeri që dëshironte një mend të përsos çdo punë që e nisë”, tha ai.

Aktori Kushtrim Hoxha lexoi vargjet e fundit të shkruara nga aktori Bekim Fehmiu, të lana amanet.

Bekim Fehmiu ka vdekur një vit më parë në banesën e tij në Beograd, pasi kishte qëlluar vetën me revole.

Aktori shqiptar Bekim Fehmiu, ishte me famë botërore, dhe ka interpretuar shumë role në filma të ndryshëm. Filmi më i suksesshëm i tij vlerësohet “Mbledhësi i puplave”.

(gazetaexpress.com)



No comments:

Post a Comment