Orllani bëhet me festival letrar

Poetë, shkrimtarë, muzikantë, artistë dhe adhurues të kulturës do të mblidhen këtë javë te Liqeni i Batllavës në Festivalin e parë ndërkombëtar të Letërsisë.

Për tri ditë me radhë, prej 22 deri më 25 qershor, autorë vendas e ndërkombëtarë do të ndajnë krijimet e tyre me adhuruesit e kulturës në një mjedis piktoresk por të pashfrytëzuar për tubime të këtij lloji.

Mysafir të FLO (Festivali i Letërsisë në Orllan) janë: Exiled Writers Ink (Jennifer Langer, Alev Adil, Ghalia Kabbani, Rahila Khalwa), Ramiz Kelmendi, Naime Beqiraj, Fahredin Shehu, Ilir Kadia, Elizabeth Gowing, Shqipe Malushi, Abdullah Konushevci, Lisandri Kola, Robert Wilton, Andi Bejtja etj.

Në festival do të marrë pjesë edhe Fondacioni Patricia Nugee me koleksionin e librave për Skënderbeun nga shekulli XVI-XVIII, si dhe, për herë të parë, Fjalorin Latinisht-Shqip të Frang Bardhit, botim i vitit 1635, si dhe ekspozitë të pikturave të Kadrush Ramës. Do të ketë edhe workshop të poezisë dhe mikrofon të hapur.

Adhuruesit e muzikës do të kenë rast të dëgjojnë ‘live’ Public Service Broadcasting dhe Mark Nelson nga Britania e Madhe, ndërsa nga Kosova do të performojnë Jericho (unplugged për herë të parë) dhe Genc Salihun me Visar Kuçin.

Të gjitha aktivitetet mbahen në restorantin Mileniumi i Ri në Orllan. Ekspozitat e shfaqura në shkollën Zahir Pajaziti në Orllan do të jenë të hapura deri të shtunën më 25 qershor.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment