“Me telemjekësinë ulet fluksi i pacientëve që kurohen në Tiranë”

Spitalet rajonale të vendit do të lidhen në kohë reale me QSUT për rastet e vështira. Në këtë mënyrë, pacientët e rretheve nuk do të kenë më nevojë të vijnë edhe për shqetësimin me të vogël shëndetësor drejt Tiranës. Shërbimi i telemjekësisë ka nisur tashmë të funksionojë. Deri tani janë lidhur online 300 bluza të bardha në 5 qarqet kryesore të vendit. Sipas krerëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, telemjekësia do të ketë impakt madhor edhe për edukimin në vazhdim në distancë. Kreu i QSUT, Saimir Ivziku, thekson se ky shërbim do të ndikojë më së shumti në uljen e numrit të pacientëve nga rrethet, të cilët dynden çdo ditë në QSUT. “Është përgatitur gjithë paketa ligjore dhe janë të gjitha mundësitë për ekzaminime të vështira. Në rrethe të caktuara, ne do të bëjmë konsultat tona paraprake, në mënyrë që të eliminojmë vajtje-ardhjet jo të domosdoshme dhe të nevojshme për pacientin e, nga ana tjetër, pse jo të ulim shpenzimet”, tha drejtori i QSUT. Ai shtoi se me anë të telemjekësisë dixhitale krijohet lidhje lidhja mes QSUT, spitaleve të rretheve dhe atyre jashtë vendit. “Kamera bën të mundur që me një rezolucion jashtëzakonisht të lartë të fokusojë deri në detaje të vogla, siç janë poret e lëkurës apo nuancat e irisit në sy”, tha Ivziku. Sipas tij, kjo bën të mundur që mjeku nga çdo lloj vendndodhjeje të mund të vizitojë një pacient pranë kësaj njësie telekonsultash, njëlloj sikur të jetë pranë tij. “Sot janë duke u zhvilluar dhe aplikacione të cilat bëjnë të mundur që mjeku ta prekë pacientin në distancë. Pra, mjeku vendos një dorashkë specifike, e cila është e lidhur me një krah robotik dhe bën të mundur prekjen e pacientit”, është shprehur drejtori i QSUT.

(panorama.com.al) 

No comments:

Post a Comment