Maqedonia nuk beson se Bin Laden është vrarë

Vetëm 16 për qind e qytetarëve në Maqedoni besojnë se Osama Bin Laden me të vërtetë është likuiduar në aksionin e forcave speciale amerikane në fillim të majit, tregojnë rezultatet e anketës së realizuar në nivel botëror nga Gallup International.

Ky sondazh tregon se përqindja e qytetarëve të Maqedonisë që besojnë se Bin Laden është likuiduar është më e ulët në krahasim me të gjitha vendet e botës.

Pas Maqedonisë, përqindje e ulët e qytetarëve që besojnë se kryeterroristit botëror me të vërtetë është likuiduar shënohet në Rusi (17 për qind), Pakistan (25 për qind), Bosnje dhe Hercegovinë (28 për qind), Tunizi (29 për qind), Serbi (31 për qind) e kështu me radhë.

Ndryshe, ky sondazh tregon përkrahje të madhe në botë për aksionin amerikan kundër Osama Bin Ladenit, por duke u bazuar në detaje, mendimet janë të ndryshme. Sipas anketës së partë globale, pas ngjarjes, 81 për qind e botës e përkrahën aksionin amerikan në të cilin u vra Bin Ladeni me 2 maj të këtij viti.

Ata që përkrahën këtë aksion janë të ndarë në 39 për qind të cilën japin përkrahje të plotë dhe 52 për qind përkrahje të rezervuar, të cilët ishin kundër mënyrës së zhvillimit të aksionit në të cilin ata kërkonin që të shohin vdekjen e Bin Ladenit.

Vetëm 9 për qind nuk e përkrahin këtë aksion dhe 10 për qind nuk dhanë përgjigje duke thënë se nuk dinë dhe nuk mendojnë asgjë për këtë aksion.

Në Maqedoni gjysma e të anketuarve apo 52 për qind e përkrahin aksionin amerikan, prej të cilëve 12 për qind dhanë përkrahje të plotë dhe 40 për qind dhanë përkrahje të rezervuar dhe ishin kundër vrasjes së tij duke thënë se donin që ai të burgosej e jo të vritej, 9 për qind ishin kundër këtij aksioni, 7 për qind nuk kanë dëgjuar për këtë aksion dhe 32 për qind nuk kanë përgjigje për këtë pyetje.

Hulumtimi global është realizuar nga Gallup International (në bashkëpunim me grupacionin WIN), që është rrjeti më i madh dhe më i vjetër i agjencive të pavarura hulumtuese. Hulumtimi tregon se përkundër përkrahjes së gjerë të aksionit amerikan ekzistojnë dallime mes rajoneve dhe religjioneve të ndryshme.

Mendimi në Amerikën Veriore kryesisht i jep mbështetje të plotë aksionit amerikan në të cilin u vra Osma bin Laden në vendin e ngjarjes. Edhe në Evropë aksioni ka mbështetje të madhe, mirëpo mendimi i qytetarëve më tepër anon në drejtim të asaj se Bin LAden është dashur të arrestohet se të likuidohet.

Fakt interesant por njëkohësisht edhe i çuditshëm është se vetëm gjysma e të anketuarve, gjegjësisht 53 për qind janë të sigurt se personi i vrarë në këtë aksion është Osama bin Laden, kurse të tjerët kanë mendime të ndara mes asaj se aksioni ka qenë i rrejshëm (22 për qind) dhe atyre që nuk kanë dhënë përgjigje (24 për qind).

(lajmpress.com)



No comments:

Post a Comment