Linda Halimi: Po s’u more me tallava, muzika të lë pa bukë.

Këngëtarja Linda Halimi, e cila këto ditë ka publikuar videoklipin “Kohën do ta ndal”, është shprehur gjatë një komunikimi virtual me fansat se “nëse nuk do të kishte pasur biznese të tjera me të cilat merret, me muzikën do të kishte vdekur”. Se me çfarë biznesesh të tjera merret Linda, ne nuk e dimë, e as vetë ajo nuk ka folur ndonjëherë në lidhje me këtë. “E dimë shumë mirë sesa paguhet muzika e mirëfilltë te ne. Ku është Leonora Poloska, Juliana Pasha, Kamela Islamaj, Eugent Bushpepa e shumë zëra të tjerë të mëdhenj që nuk patën mbështetje nga askush?! Këtu po nuk ia fute me tallava, s’ke bërë asgjë”, – është shprehur ajo, me sa duket jo pa nervozizëm në lidhje me situatën aktuale në muzikën shqiptare. Kush këndon tallava këtu? I fundit ka qenë Flori, apo jo? Kaq e suksesshme të bëka kjo rrymë muzikore, saqë Linda është e mendimit se këngëtarët e sipërpërmendur, edhe pse të admirueshëm, nuk janë marrë nën menaxhimin e askujt sepse punojnë me profesionalizëm. “Pse këta “të mëdhenj” nuk i ka marrë askush nën menaxhim, por kanë marrë disa që nuk dua t’u përmend as emrin…, që nuk dinë as të flasin, le pastaj të këndojnë?!”, – ka vijuar ajo, duke shtuar tonet e irritimit. Linda është zotuar se do ta çojë në fund mundin dhe përpjekjen e kolegëve të saj, për të cilët ajo është shprehur se “kanë rënë për shkak se nuk janë përkrahur”. “Unë e di ç’heq kur nuk fle natën për shkak se shkruaj tekstet që këndoj. Mua as melodi, e as tekst nuk më ka bërë askush deri më tani. Së shpejti do jem edhe producente”, u ka thënë fansave këngëtarja e rock-ut, e cila këtë verë ka zgjedhur të vijë me ritme dance. Kënga e saj “Kohën do ta ndal” është punuar nga Korab Shaqiri, ndërsa teksti është shkruar nga vetë këngëtarja kosovare.

Linda ka treguar se i është dashur të punojnë intensivisht për realizimin e kripit – në të cilin shfaqet ndryshe nga më parë; sepse javën që vjen ajo do të udhëtojë në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe pse ka hezituar të japë arsyen e kësaj vizite. Duhet të themi se Linda na pëlqen shumë me rock-un që i shkon aq shumë dhe që e karakterizon si një këngëtare unike, edhe pse edhe me dance vokali i saj është përshtatur jashtëzakonisht mirë. A e tradhtoi pra Linda rock-un dhe baladat?! Padyshim që jo, ndoshta thjesht kërkon të dëgjohet pak më shumë edhe në diskoteka, duke qenë se në trojet shqiptare është e vështirë të mbijetohet me muzikën!

(vipat.info)



No comments:

Post a Comment