Kuzhe ngroh atmosferën: Një Bosnjë e lodhur, shansi ynë!

Kroati i gëzuar me situatën në kombëtare: Skuadra është e plotë, vetëm për Currin kam dyshime.
Një kombëtare e vogël si Shqipëria, për të arritur rezultate pozitive në përballjet europiane, përveç kontributit të të gjithë futbollistëve, ka nevojë që rrethanat e ndeshjes të jenë në favorin e saj. Sepse kur i ka kundër (mjafton të kujtojmë mungesën e Canës dhe Bogdanit në takimin e parë me Bjellorusinë, ku u mundëm 2-0) jemi ndëshkuar.

“Së pari, jam i lumtur që do të luajmë në këtë ndeshje. Tani kemi më shumë shanse të bëjmë diçka serioze në këto eliminatore. Në këtë situatë kemi një ndjesi të veçantë dhe shpresojmë të arrijmë një rezultat pozitiv, - është shprehur trajneri Kuzhe për “Procesin”, duke argumentuar pse duhet të shpresojmë në këtë ndeshje.

Shqipëria është më e fortë, pasi janë kthyer disa futbollistë që na kanë munguar për shkak dëmtimi (Curri) dhe kartonësh (Dallku). Jemi të gjithë së bashku. Dyshimi i vetëm është Debatik Curri, pasi ka shumë kohë pa luajtur, megjithatë ai është i gatshëm për të dhënë kontribut në këtë ndeshje.

Fakti që i kemi të gjithë futbollistët të gatshëm na mbush me besim me shpresë.” Për Kuzhen ekziston një tjetër avantazh: zhvillimi i ndeshjes Rumani-Bosnjë këtë të premte. Përballja mes rivalëve do të ketë intensitet të lartë e si rrjedhojë edhe konsumim fizik.

“Bosnja do të luajë me Rumaninë të premten dhe ky është një avantazh për ne, pasi kundërshtarët tanë mund të jenë të lodhur. Ky është shansi ynë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë,” - ka përfunduar trajneri i kuqezinjve, Josip Kuzhe.

Debatik Curri është dyshimi i vetëm i kroatit, por kosovari jep garanci: S’jam 100%, por mund të luaj

Curri ia thotë troç Kuzhes: Më shiko dhe vendos!
Debatik Curri është rikthyer në kombëtare pas gati 9 muajve. Një dëmtim i rëndë në gju më 22 shtator të 2010-ës e detyroi t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale në Belgjikë. U mendua se rikthimi i tij do të ndodhte pa 6 muajsh, por në të vërtetë periudha e riaftësimit shkoi më shumë.

“Mund të isha rikthyer më shpejt, por nuk desha vetë të nxitohesha. Vetëm ndeshjen e fundit të kampionatit turk jam aktivizuar në kohë të plotë. Tani jam shumë mirë dhe shpresoj të arrij formën optimale,” - shprehet Curri. Por a do të mund të japë kontribut 26-vjeçari në sfidën me Bosnjën.

“Jam këtu për të bërë detyrën në kombëtare. Nuk e di nëse do të luaj, por shpresoj që ndihma ime t’i vlejë skuadrës,” – vjon Curri. Optimizmi i mbrojtësit të Gençlerbirligisë duhet ta ketë kënaqur edhe trajnerin Kuzhe, i cili u beson shumë futbollistëve me eksperiencë. “Kam folur hapur me trajnerin Kuzhe.

I kam thënë të më shikojë dhe të vendosë nëse duhet të luaj. Jam i vetëdijshëm që nuk kam arritur akoma 100% të formës, pasi periudha e riaftësimit ka qenë shumë e gjatë, por unë e ndiej veten mirë dhe të aftë për të dhënë kontribut në ndeshjen e radhës,” - ka këmbëngulur Curri.

Ndeshja me Luksemburgun në Tiranë (1-0) është e fundit për ish-mbrojësin e Vorsklës në kombëtare. Në mungesë të Currit, në rolin e qendërmbrrojtësit në krah të Canës Kuzhe ka preferuar Admir Telin, që sidomos ndeshjen e fundit e ka justifikuar aktivizimin si titullar.
(www.sportishqiptar.com.al)

No comments:

Post a Comment