KQZ ngre 8 grupe numërimi

Komisioni Qendror i zgjedhjeve pritet të miratojë të shtunën në orën 10:00 projekt-vendimin për hapjen e 1472 kutive të Tiranës. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se me miratimin e vendimit do të nisë menjëherë proçesi i hapjes së kutive. Në projektvendimin që pritet të miratohet, parashikohen hapat proçeduriale për zbatimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të hapur të gjitha kutitë e Tiranës e për të numëruar fletët e hedhura në kutitë e gabuara.

Sipas projekt-vendimit, do të ngrihen tetë grupe numërimi, ku një grup do të hapë njëkohësisht të katra kutitë e një qendre votimi dhe, pasi të numërohen dhe rivlerësohen fletët e votimit të gjetura, ato do të pasqyrohen në tabelat për rezultatin.

Gjithashtu, ky projekt-vendim përcakton se partitë politike të interesuara do të kenë vëzhguesit e tyre të pranishëm dhe, nëse ata kanë kontestime, do të mund t’i drejtohen KQZ-së, e cila më pas do të vlerësojë votën si të vlefshme apo të pavlefshme.

Në fund të proçesit do të ketë edhe një rakordim të shifrave në tabelat respektive dhe më pas do të hartohet tabela përmbledhëse për rezultatin në të gjitha njësitë vendore brenda Bashkisë së Tiranës, raportoi e përditshmja Panorama. 
(albeu.com)

No comments:

Post a Comment