Kosova larg rajonit në luftimin e krimit të organizuar

Përveç mungesës së disa ligjeve anti-korrupsion, Kosova është në krahasim me vendet e rajonit është prapa në luftimin e krimit të organizuar.Kështu u vlerësua në tryezën me temë “Krimi i organizuar dhe pasuria e paligjshme, pengesë për zhvillimin e Kosovës”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës. Po ashtu është potencuar nevoja e nxjerrjes së Ligjit Kundër Krimit të Organizuar dhe Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu ka theksuar nevojën e plotësimit të pakos së ligjeve antikorrupsion, si dhe ka kërkuar përkushtim më të madh të institucioneve në drejtim të luftimit të krimit të organizuar.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka shprehur brengën e tij për nivelin e luftimit të krimit të organizuar. Sipas tij, rezultatet e luftimit të krimit të organizuar nuk janë të kënaqshme, kjo duke u krahasuar edhe me rajonin.

Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Reshat Maliqi ka thënë “Format më të shpeshta të krimit të organizuar janë: trafikimi me narkotikë, trafikimi me qenie njerëzore, me armë, etj”.

Maliqi ka përmendur po ashtu edhe Zyrën për bashkëpunim ndërkombëtar, si me Interpolin dhe Europolin, zyre kjo që nga nesër do të transferohet me përgjegjësi të plota nga ndërkombëtarët tek vendorët.

Ndërkaq, George Mills, nga EULEX-i ka përmendur rolin siç ka thënë ai të rëndësishëm që shoqëria civile mund ta ketë në luftimin e krimit të organizuar. “Nuk është problem legjislacioni, por zbatimi i tij. Në këtë aspekt, shoqëria civile ka mundësinë të jep kontribut të madh”, ka thënë Mills.

Në tryezë është folur edhe për interferimin e politikës në gjyqësor, element ky i publikuar të martën edhe në një konferencë të Transparency Internation në Berlin.

Ndërkohë, gjatë debatit, të pranishmit megjithatë kanë folur për këtë ndikim. Deputeti i PDK-së, ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë, Behar Selimi ka thënë se ka interferenca të individëve nën vellon e politikës, por jo në kuptimin e partive politike.

Edhe të pranishmit tjerë kanë theksuar brengën e kësaj ndërhyrjeje, ndërkohë është kërkuar përmbushje e legjislacionit antikorrupsion, si dhe është kërkuar përkushtim dhe vullnet politik më i madh në drejtim të luftimit të këtyre dukurive. 

(telegrafi.com)



No comments:

Post a Comment