Kosova bëhet me strategji lobimi

Qeveria e ka miratuar të mërkurën një dokument që flet për strategjinë e saj për lobim, por që kjo strategji përfshin aktivitete diplomatike-lobuese nga institucionet dhe miqtë ndërkombëtarë, duke i ndarë edhe shtetet te të cilat do të lobohet në kategori specifike.


Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se lobimi i deritashëm, si edhe aktiviteti që pritet tash e tutje me anë të kësaj strategjie, do t’i sjellin Kosovës njohje të reja, raportoi Evropa e Lirë.

“Natyrisht se këto takime do të jenë jashtëzakonisht inkurajuese për vazhdimin e procesit për njohje të reja të mbetura për Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Shefi i diplomacisë, Enver Hoxhaj ka thënë se strategjia përfshin aktivitetet që institucionet, krerët e institucioneve, por edhe miqtë ndërkombëtarë do të angazhohen në fushën e lobimit për njohje të reja.

Sipas tij, kjo strategji përfshin pesë fusha, nëpër të cilat janë të renditura vendet me karakteristikat e tyre, veç e veç.

“Ka pesë grupe të shteteve, të cilat kanë të bëjnë me relacionet bilaterale dhe të njohjes së Kosovës. Në grupin e parë janë shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës; grupi i dytë janë një grup i shteteve që janë shumë afër njohjes së Kosovës; grupi i tretë është ai i vendeve që kanë dhënë sinjale pozitive se mund të lëvizin drejt njohjes së Kosovës; ka një grup të katërt që ka qëndrim neutral dhe të cilat nuk janë deklaruar sa i përket njohjes së Kosovës dhe është grupi i pestë - ai i vendeve kundërshtare të pavarësisë së Kosovës”, theksoi Hoxhaj.

Punët në hartimin e kësaj strategjie janë koordinuar edhe me Zyrën e presidentes Atifete Jahjaga.

Përderisa zyrtarë të Qeverisë nga partia partnere e PDK-së në koalicionin qeverisës, ata të AKR-së, lanë të nënkuptohet se kjo strategji nuk është koordinuar mjaftueshëm me këtë subjekt politik.

I ngarkuari i Qeverisë për lobim, zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, që vjen nga radhët e AKR-së, ka thënë se e kishte shfletuar sot këtë strategji, në ditën kur ajo është publikuar në mediat lokale.

Ministri për Diasporën, po nga radhët e AKR-së, Ibrahim Makolli ka thënë se ministrat janë fare pak të informuar me përmbajtjen e kësaj strategjie.

Pavarësisht kërkesave që konsultimet të vazhdojnë, strategjia është miratuar unanimisht nga Qeveria, ndërsa disa detaje të saj do të mbeten konfidenciale, pasi që kanë të bëjnë me interesin strategjik të politikës dhe interesit të Kosovës.

Kosovën deri më tash e kanë njohur 75 shtete. Ndërkaq, synimet e institucioneve janë që të sigurohet edhe një numër njohjesh të reja, që të arrihet numri prej 100 njohjesh, për t’i shmangur pengesat që po i shkaktohen shtetit të Kosovës në anëtarësimin dhe përfaqësimin e saj në organizata e mekanizma ndërkombëtarë. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment