Historia e klasës së gjashtë nuk mund të korrigjohet

Teksti i ri i historisë së klasës së gjashtë, i cili ishte i mbushur me gabime edhe më të mëdha se ai i mëparshmi, ka mbetur pezull. Këshilli nacional për tekstet shkollore nuk e ka miratuar këtë tekst, ndërkaq që Ministri i Arsimit Nikolla Todorov ka kërkuar mendim për këtë tekst nga profesorët e universitetit Shtetëror të Tetovës. Dekani i Fakultetit të historisë, Fehari Ramadani e ka hedhur poshtë sit ë papërshtatshëm për mësim tekstin e ri të historisë së klasës së gjashtë. “Para pak ditëve ministri kërkoi që të jap një mendim rreth këtij teksti. Pasi e lexova tekstin ia dërgova me shkrim mendimin tim. Për mendimin tim ky tekst nuk është i përshtatshëm për tu mësuar”, tha për “Lajm”, profesor Ramadani. Nëse teksti do të korrigjohet, apo do të duhet që të shpallet konkurs që nga fillimi, akoma nuk dihet. “Lajm” mëson se asnjë prej historianëve shqiptarë të kontaktuar nga ministria e Arsimit nuk e merr përsipër përmirësimin e tekstit të historisë së klasës së gjashtë, pasi në të ka më shumë gënjeshtra sesa të vërteta. Anëtari i Komisionit nacional për tekste shkollore, Nuhi Dardhishta thotë se ky tekst nuk mund të kalojë në Komisionin nacional, pasi ai nuk I plotëson kriteret. Ndërkaq, për shkak të historisë së klasës së gjashtë Komisionin para pak ditëve e lëshoi historiani Skënder Hasani.

Në tekstin e ri të historisë së klasës së gjashtë shqiptarët paraqiteshin si njerëz të egër, ndërsa fiset ilire ishin emëruar si fise maqedonase.


Edhe Arti figurativ diskutabil

Recensentët nuk i kanë dhenë leje për botim tekstit të lëndës së Artit Figurativ, pasi ai nuk i ka pas përmbushur kriteret. Kryetari i recensentëve, Reshat Ahmeti, si dhe dy anëtarët e tjerë kanë qenë kundër këtij teksti. Tashmë do të duhet që të shpallet konkurs i ri edhe për këtë lëndë.
(lajmpress.com)

No comments:

Post a Comment