Hillari Klinton: Qeveria dështoi me trafiqet, drejtësia vuan korrupsionin

Qeveria shqiptare ka dështuar në luftën kundër trafiqeve, sidomos ndaj atij kundër prostitucionit, ushtrimit dhe shfrytëzimit. Sistemi i drejtësisë është ende i korruptuar dhe nuk po lufton nëpërmjet dënimeve dhe hetimeve ashtu siç duhet këtë dukuri. Ligjet ekzistojnë, por efekti i tyre nuk është i duhuri, ndërkohë që Prokuroria e përgjithshme nuk ka aplikuar në asnjë rast përgjatë një viti programin e mbrojtjes së dëshmitarëve për femrat e trafikuara.

Shumë nga vajzat kanë frikë të dëshmojnë apo denoncojnë tutorët dhe trafikantët e tyre, ndërkohë që ka mangësi në mënyrën e operimit, bashkëpunimit dhe efektivitetit. Ndërkohë që kriza politike ndikon në çdo fushë, ashtu sikurse dhe në atë të luftës kundër trafikut. Aktualisht shprehet frika se ky ngërç që ka mbërthyer vendin mund të rrezikojë edhe rritjen e precedentëve të trafiqeve.

Ky është me pak fjalë raporti vjetor 2010-2011, i lexuar nga Sekretarja Amerikane, Hillari Klinton, pak minuta më parë në zyrat e Departamentit Amerikan të Shtetit, për Shqipërinë. Ndërsa renditemi në një shkallë me rrezikshmëri të lartë trafikimi, vihen në dukje përparime dhe mangësi në luftën kundër trafiqeve. Klinton theksoi në raportin e saj se në Shqipëri aktualisht problemet janë ngërçi që mund të infektojë dhe luftën kundër trafiqeve, mbrojtja e dëshmitareve dhe rreziku i femrave përballë botës së krimit.

Vlerësohet lufta në vazhdim me projekte, masa, ligje dhe operacione e qeverisë, por kritikohet për mosdhënien zgjidhje të kësaj dukurie kriminale. “Shqipëria është një burim i trafikut të femrave, fëmijëve dhe burrave, sidomos atij të seksit, deri tek lindjet e fëmijëve për shitje e trafikim. Trafiku bëhet me Greqinë, Italinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Evropën Perëndimore. Por një fenomen i ri është vënë re gjatë vitit 2010, kur gra e vajza jo vetëm trafikoheshin e shfrytëzoheshin brenda vendit, por mbaheshin në rezidenca, hotele apo motele në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Edhe fëmijët shfrytëzohen në forma nga më të ndryshmet. Shoqatat Joqeveritare vazhdojnë ta raportojnë trafikimin si problem dhe po ashtu atë të ritrafikimit të këtyre viktimave. Qeveria shqiptare nuk i ka plotësuar as në minimumin e tyre standardet për eliminimin e këtij trafiku, ndërsa ndonjëherë duket se ka sforcime serioze në këtë drejtim. Kjo në drejtim të forcimit të ligjit apo strategjive, por ka probleme të theksuara porsa i përket trajtimit të viktimave apo rehabilitimit të tyre”, shkruhet ndër të tjera në raportin e lexuar nga Klinton në departament. Madje përmenden problemet e licencave për disa organizata joqeveritare që janë penalizuar pa të drejtë nga qeveria dhe ministria.

“Ndër të tjera, korrupsioni, veçanërisht në drejtësi, vazhdon të godasë luftën dhe ligjin anti-trafik, sidomos në aspektin e mbrojtjes së viktimave të trafikut”, theksohet për sistemin e drejtësisë. Qeverisë i kërkohet implementimi i Programit për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikut deri në procesin e fundit që kërkohet. Kërkohen hetime më gjithëpërfshirëse të grupeve të trafikut të qenieve njerëzore apo femrave e fëmijëve për tregun e seksit. Më tej jepen edhe shifra të ndryshme të arrestimeve, riatdhesuarve, kontrolleve, dënimeve nga gjykata, të hetuarve dhe procedimet e kryera.

(ama-news.al)




No comments:

Post a Comment