Hamilton do ta vrasë dikë në pistë

Tre herë kampioni i botës, Niki Lauda beson se Lewis Hamilton do ta vrasë dikë në pistë nëse nuk qetësohet. Njësoj si në garën e dy javëve më parë në Monaco, Hamilton ishte i përfshirë në dy incidente në garën kaotike për Shpërblimin e Madh të Kanadasë të dielën.

Në shiun e madh në pistën Gilles Villeneuve, ai u ndesh me Mark Webberin dhe rrokullisi bolidin e australianit, e më pas u përplas me kolegun e tij nga McLaren, Jenson Button. Ky ishte aksidenti i parë serioz mes tyre dhe ia përfundoi garën Hamiltonit në xhiron e tetë.

Ndërsa Button vazhdoi të garojë dhe në fund doli fitues. Kujdestarët pritet të hetojnë incidentin, që do të jetë hera e gjashtë që Hamilton do të dalë para panelit katëranëtarësh në shtatë garat e deritashme. Për sigurinë e ngasësve, Lauda beson se FIA duhet të dënojë Hamiltonin për t’i dhënë mësim.

“Ajo që bëri Hamilton tejkalon çdo kufi. Ai është i çmendur. Nëse FIA nuk e dënon atë, nuk e kuptoj më këtë botë. Duhet të ekzistojë një kufi për t’i dhënë fund të gjitha shakave. Nuk mund të vozitni ashtu sepse do të rezultoni me vrasjen e dikujt”, tha Lauda për televizionin gjerman RTL.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment