Gjermania vazhdon përkrahjen për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në ditën e parë të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë në takimet me përfaqësuesit e lartë të politikës dhe diplomacisë gjermane, ka marrë mbështetjen e tyre për procesin e lobimit për njohjen e Kosovës nga shtetet, të cilat ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë. Ata kanë premtuar ndihmë konkrete në përmbylljen e këtij procesi të rëndësisë së veçantë për shtetin e Kosovës në këtë fazë të zhvillimeve.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë kësaj vizite ka pasur një drekë pune me Nikolaus Graf Lambsdorf, i ngarkuar special për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Në këtë takim është biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes diplomacive të dy shteteve dhe për përkrahjen që diplomacia gjermane pritet t’i japë Kosovës në proceset ndërkombëtare.

Ministri Hoxhaj është takuar edhe me përfaqësues të partive politike dhe Gjermanisë. Në takimin me Andreas Schockenhoff, nga Unioni Kristian Demokratik i Gjermanisë (CDU), Hoxhaj ka marrë përkrahjen e partisë në pushtet për proceset me të cilat po ballafaqohet Kosova.

Schockenhoff po ashtu ka deklaruar se CDU-CSU do të jetë një zë i fuqishëm në përkrahje të Kosovës edhe në Parlamentin Evropian, rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Hoxhaj është takuar edhe me zëvendëspresidentin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Gernot Erler. Edhe në këtë takim, ministri Hoxhaj ka marrë përkrahje për zhvillimet në Kosovë.

Gjatë ditës, ministri Hoxhaj do të marrë pjesë edhe në Seancën Plenare të Bundestagut gjerman, ku është planifikuar të votohet vazhdimi i mandatit të trupave të Bundeswehr-it në kuadër të KFOR-it në Kosovë, ndërsa në ditën e dytë të vizitës, Hoxhaj, do të ketë takim edhe me ministrin Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment