Genta Ismajli: Kam një vit e gjysmë pa dalë me një mashkull

“Le të jetë dashuri me shikim të parë. Dua të jem me dikë, sepse të gjithë duan të jenë me një person special në jetë. Ende nuk e kam gjetur, nuk do dal në rrugë dhe të them “Hej, hajde ti këtu”. Pra, nuk kam gjetur dikë që të më përshtatet” Këto kohë i është përkushtuar me mish e me shpirt muzikës, ndaj e ka realizuar në kohë rekord premtimin që u kishte dhënë fansave, albumin e ri “Guximi”. Këngët e reja të saj, ylli i muzikës, Genta Ismajli, do t’i performojë sonte në mbrëmje për publikun shqiptar, pranë Ura Bistrotheque në kryeqytet. Shumë e lirshme, e qeshur, e mbushur me pozitivitet dhe me “Just the way you are” nga Bruno Mars në sfond, ne realizuam këtë intervistë ekskluzive për “Standard”, në të cilën Genta zbulon ambiciet për muzikën, dashamirësinë për kolegët, por mbi të gjitha dëshirën për të krijuar familje! Po, po, e lexuar mirë dhe kur kjo të ndodhë, Genta thotë se muzika nuk do të jetë më në rend të parë!

Genta, aktualisht ndodhesh në Tiranë, për shkak se sot – e shtunë, ti do të mbash një koncert për fansat e tu. Ke ardhur të lançosh albumin tënd më të ri “Guximi” apo jo?

Në fakt, unë mezi po pres të performoj këngët e reja të albumit tim të pestë “Guximi”, që sapo ka dalë. Është hera e parë që po mbaj tamam një koncert këtu, do doja që të gjithë adhuruesit ta dinë që jam këtu. Po planifikoj se si do dal në skenë, kam paksa emocione, por jam e sigurt që ka për të dalë shumë bukur. Nuk do të mungojnë edhe këngët e mëparshme, hitet që kam në vite. Në albumin e ri kam bashkëpunuar me kantautoren shqiptare në SHBA, Kara DioGuardi, me të cilën kam dy këngë, në njërën prej të cilës këndoj me të, “Planet me”. Ajo aty këndon back-vocal, ndërsa një baladë që ma ka realizuar ajo, nuk e kam finalizuar ende. Duhet të them se kam pasur shumë fat që kam bashkëpunuar me një emër si ajo.

Ke ardhur shpesh në Tiranë, por asnjëherë nuk ke bërë një koncert si ky i sotmi. Përse e ke ruajtur pikërisht për këtë moment?

Nuk kam dashur që të performoj shumë në Tiranë, e kam ruajtur me shumë zemër Tiranën, për të bërë një koncert shumë të madh, sikurse e kam pasur dëshirë.

Kur je këtu, si të presin fansat?

Më përshëndesin në rrugë, duan të bëjnë fotografi, më shkruajnë në rrjetet sociale. Këtu ndihesh më VIP se në Kosovë.

Cili është komplimenti që të pëlqen më shumë?

Mbi të gjitha më pëlqen kur më thonë që u pëlqen personaliteti, karakteri dhe zemra ime. Kjo është lumturia më e madhe. Ky është qëllimi im në jetë.

Artistët shqiptarë nga Kosova duken më të lirshëm në komunikimin me publikun. Ti si mendon?

Së pari, këtu ka më shumë paparacë e gazetarë rozë, sesa në Kosovë. Këtu bëhet jeta më VIP sesa në Kosovë. Te ne nuk ka kaq shumë thashetheme sa në Tiranë, ndoshta prandaj artistët e këtushëm kompleksohen disi. Them se duhet të jesh inteligjent të menaxhosh mirë të gjitha situatat, edhe kur ke pranë një paparac.

Të ndalemi pak te muzika. Është e vështirë sot të realizosh një album?

Nuk është aspak e lehtë të realizosh një album, sidomos kur është në mes emri im, Genta Ismajli. E them këtë, sepse unë kam një peshë shumë të madhe, një përgjegjësi të pamasë para publikut. Prandaj gjithmonë mundohem të mos bëj gabime, edhe pse si njeri unë bëj gabime. Megjithatë, dua ta mbaj fjalën e dhënë adhuruesve të mi, ndaj edhe solla një album si “Guximi”. E kam bërë me shumë kënaqësi, kanë punuar shumë persona të suksesshëm për këngët e mia, ka qenë një eksperiencë, besomëni – e çmendur. Kam vite që punoj për këtë album, sidomos për këngët në anglisht që janë futur si bonus aty, ndërsa për këngët në shqip kam punuar përreth një vit.

Do dalësh së shpejti me ndonjë klip të ri, veç “Pa ty”, me të cilin i paraprive verës?

Patjetër që po, por kam një problem, pasi kemi pasur disa vonesa me shtypjen e CD-ve, ndaj nuk po mundem të lançoj klipin e ri, të cilin e kam xhiruar. Është një videoklip shumë, shumë interesant. Kam pasur një eksperiencë shumë të bukur me këtë klip. Kënga ka ritme dance, është një hit veror i garantuar.

Duket sikur bota muzikore është tronditur paksa nga fenomeni Lady Gaga, madje po shkruhet gjithandej se këngëtaret po ndikohen shumë nga ajo. A ka të vërtetë në këtë mes?

Po pse jo, më parë ishte fenomeni Michael Jackson – që ende është – është tani Lady Gaga, Beyonce. Këta njerëz janë të mëdhenj, këta po bëjnë muzikën tani, po marrin vëmendjen dhe nuk ka asgjë të keqe që njerëzit të inspirohen prej tyre.

Ti vetë frymëzohesh prej tyre, sepse nga Michael Jackson e dimë që po, je një admiruese e madhe…

Ndikohem, normal, por jo pa e përdorur imagjinatën time. Nëse ka dalë ndonjë gjë imja që duket si e imituar, ajo ka ndodhur rastësisht. Ka ndodhur që unë kam pasur në plan që dy vite më parë një videoklip, kur kam parë që e ka realizuar dikush tjetër para meje. Mendoj se kjo gjë u ndodh të gjithëve. Është mirë që secili prej nesh të inspirohet prej këtyre emrave.

Po kështu, kemi vëre re fenomenin tallava, që është në lulëzim e sipër…

Tallavaja ndoshta “lulëzon” për shkak se ne shqiptarët e kemi në gjak muzikën dhe kur dëgjojmë tingullin e tarabukës, automatikisht lëvizim dhe e ndiejmë ritmin. Të gjithë kërcejmë e kënaqemi me atë ritëm nëse jemi diku në një klub, por të them të drejtën, kurrë nuk do ta kisha blerë një CD tallava që ta dëgjoja në makinën time.

Aktualisht, cilët artistë shqiptarë dëgjon? Çfarë do preferoje nga këngët që kanë dalë së fundmi?

Më pëlqejnë shumë këngë të kolegëve të mi, që nga Elvana, një këngë e Norës (po i përmend, edhe pse mua s’më përmendin), Dafina Zeqiri, Tuna, po përmend femrat pra. Kur bëjnë këngë të bukura, pse të mos i dëgjoj?

Genta, këtu në Shqipëri do bësh pak plazh?

Jo, nuk mundem, të dielën duhet të nisem sërish për në Kosovë. Por aty ku po rri këto ditë, ka një pishinë, kështu mund të rri ca orë e të marr rreze.

Ke planifikuar pushime këtë vit?

Absolutisht jo, edhe pse çdo ditë zgjohem në mëngjes dhe them: “Dua të iki prej këtu”, sepse të them të vërtetën jam lodhur shumë nga albumi. Ky album më ka marrë kohën që unë shfrytëzoj për pushime.

Çfarë destinacioni zgjedh zakonisht për pushime?

Shkoj në Ulqin, para se të nisë sezoni i pushimeve, është shumë bukur atje, por vij edhe këtu në Shqipëri, më pëlqen shumë Dhërmiu. Këto janë vendet që zgjedh për plazh.

Shohim që qenke shumë në formë fizikisht…

Faleminderit, por nëna ime nuk mendon ashtu. Për të jam përherë e shëndoshë. (hahaha)

Si ka mundësi, sepse nënat shqiptare gjithmonë u thënë vajzave: “Ha, sa qenke dobësuar, mos mbaj dietë”, etj., etj., edhe kur vajza në fjalë peshon mbi 70 kg?

Të të tregoj diçka: sa herë unë ulem në tavolinë për të ngrënë, ajo më fotografon fshehurazi dhe ma tregon duke më thënë: “Ja, shikoje si je” (Qesh). Për mamin tim, unë duhet të bëj diçka shumë, shumë të mirë, që të marr një kompliment.

Pra, është natyrë shumë kërkuese?

Ajo është kërkuese, por unë jam më shumë se ajo, jam perfeksioniste fare.

Po tani sa je në peshë?

Tani peshoj 65 kg, s’e kam arritur ende kufirin prej 67 kg (Qesh). Fatmirësisht, nuk e kam kompleks peshën.

Genta, janë të pasur këngëtarët shqiptarë?

Unë besoj që po, edhe pse sa më shumë të kesh, aq më shumë kërkon dhe nuk ua di vlerën parave. Njeriu duhet të jetë i kënaqur me atë që ka. Unë e kam zakon që kur ulem të ha një ndonjë restorant të shtrenjtë, mendoj ata persona që nuk kanë të hanë bukë në shtëpitë e tyre. E falënderoj Zotin për gjithçka që më ka dhuruar, jam e kënaqur për këto që kam, por natyrisht që dua të arrij edhe më shumë për disa arsye: që të jem e lumtur, që të ndihmoj njerëzit e tjerë dhe për ta bërë këtë, dua të kem më shumë para sesa kam tani.

Është shkruar së fundmi për ty që “nuk ke kohë për dashurinë”, pasi je shumë e dhënë pas muzikës. Është e vërtetë që nuk del me askënd?

Është shumë e vërtetë, nuk e mbaj mend që kur nuk kam dalë me një mashkull, ndoshta bëhet një vit e gjysmë.

Nuk e ndien nevojën për të pasur dikë pranë?

I jam kushtuar shumë punës, karrierës, muzikës këto kohë. Normal, kam simpati, si gjithë të tjerët, p.sh., kur shkoj në një party, shoh ndonjë djalë dhe them: “Sa i bukur ai”, por vetëm kaq.

Kur mendon se do vijë momenti për t’u kushtuar më shumë kohë ndjenjave?

Nuk e di, mbase vjen edhe pas intervistës që po realizojmë (Qesh). Le të jetë dashuri me shikim të parë. Dua të jem me dikë, sepse të gjithë duan të jenë me një person special në jetë. Ende nuk e kam gjetur, nuk do dal në rrugë dhe të them: “Hej, hajde ti këtu”. Pra, nuk kam gjetur dikë që të më përshtatet.

Kur të vijë ai person, ti ke dëshirë që të krijosh familje, të bësh fëmijë?

Patjetër që po, menjëherë do krijoj familje dhe do bëj fëmijë. Unë i dua fëmijët shumë dhe nëse do gjej personin e duhur, do bëj fëmijë, patjetër.
(vipat.info)




No comments:

Post a Comment