FSK shumë shpejtë me kapacitet të plotë operacional

Komandanti i KFOR-it, Erhard Bühler dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Miloje Miletic janë takuar në kuadër të të ashtuquajturit, Komisioni i Përbashkët për Implementim. Buhler e njoftoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë për të arriturat e fundit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vlerësimin e tij që kjo forcë shumë shpejt do t’i arrijë kapacitetet e plota operacionale.


Gjenerali Buhler gjatë këtij takimi në Kopaonik theksoi që kjo forcë nuk duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt në Ballkan, por si forcë shumetnike e cila i shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ai sugjeroi përfshirjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunimin rajonal të sigurisë.

Më tej, gjenerali i KFOR-it, e vlerësoi të qëlluar rikonfigurimin e KFOR-it.

“KFOR-i është ende i gatshëm dhe i vendosur t’i përmbushë detyrat e tij duke treguar lëvizshmëri, fleksibilitet dhe gatishmëri të trupave edhe pas reduktimit. Aktualisht, KFOR-i dhe kontingjentet kombëtare kanë përafërsisht 6000 ushtarë. KFOR-i do të mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes anembanë Kosovës. Në këtë kuptim, KFOR-i do të vazhdojë të bashkëpunojë më EULEX-in dhe Praninë Ndërkombëtare Civile si dhe me Policinë e Kosovës”, theksoi Buhler.

Ndryshe, situata e përgjithshme e sigurisë përgjatë Vijës Kufitare Administrative është e qetë dhe stabile, ndërsa disa aktivitete kriminale ndërkufitare, siç janë kontrabanda, kalimi ilegal i kufirit ose prerja ilegale e drunjve u tha se janë çështje të cilat mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit profesional të forcave të sigurisë në të dy anët si dhe me patrullime të sinkronizuara përgjatë Vijës Kufitare Administrative.

Të dy ranë dakord që të vazhdojnë dhe të zhvillojnë edhe më shumë bashkëpunimin në mes të dy palëve dhe të rrisin komunikimin në mes të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë në nivel të duhur.

(telegrafi.com)



No comments:

Post a Comment