FFK: Kampionati fillon më 20 gusht

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës mori vendim që kampionati i ri 2011/12 të fillojë më 20 gusht, ndërsa ndeshja e Superkupës të zhvillohet më 13 gusht.
Në mbledhjen e mbajtur të enjten, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vlerësuar pozitivisht rrjedhën e edicionit të kaluar të garave në të gjitha rangjet dhe kategoritë.
“Pas një analize të hollësishme të shifrave dhe fakteve, KE konstatoi se ky ishte njëri ndër kampionatet më të rregullta në të gjitha aspektet me një brengë që shikueshmëria ende nuk është në masën e dëshiruar dhe synuar nga të gjitha”, thuhet në njoftimin e KE të FFK-së.
Nga analiza bërë edicionit të kaluar të garave del se organizimi i ndeshjeve sipas kompetentëve të saj, vëzhguesit, zyrtarëve të dyja klubeve ka qenë në 39 për qind i nivelit të lartë në 50 për qind i nivelit të duhur e të kërkuar dhe vetëm 11 për qind flitet për lëshime aty-këtu teknike.
“Sjellja e lojtarëve në fushë kurrë nuk ka qenë më e mirë, që flasin numri i vogël i futbollistëve të ndëshkuar me kartonë të kuq apo të verdhë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Gjithashtu sipas këtij njoftimi në mbledhjen e KE është diskutuar edhe për pretendimet e disa individëve për kurdisje të ndeshjeve.
“KE i FFK-së ka qenë dhe mbetet i vendosur që me kujdes të veçantë e të shtuar të hetojë çdo rast, por duke kërkuar për këtë gjë nga organet kompetente të hetuesisë së Kosovës që të marrë seriozisht çdo deklaratë të bërë publike nga kushdo qoftë për të zbardhur rastet, por edhe për të ndëshkuar shkelësit. Në këtë mbledhje nuk u la anash as kërkesa e fundit e KF ‘Ballkanit’ për dukurinë e konsumimit të substancave të palejueshme nga ana e futbollistëve, por se u dha se Kosova si shtet ende nuk ka ndërtuar kapacitete të Agjensionit Anti-doping dhe se një laborator i tillë nuk gjendet në Kosovë. Megjithëkëtë KE autorizoi Komisioni për shëndetësi që përbëhet prej njerëzve profesionist të hulumtojë mundësitë se si të arrihet kontrolli anti-doping edhe në futbollin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

(rtv21.tv)



No comments:

Post a Comment