Enver Hoxha: Hrushovi donte të ngrinte bazë ushtarake në Butrint

Regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili u vendos në Shqipëri pas luftës, kishte lidhje të ngushta me Bashkimin Sovjetik, që drejtohej nga Stalini.
Arkeologët e rinj shqiptarë u formuan në Moskë. Por, me vdekjen e Stalinit, Hoxha filloi të besonte se udhëheqja sovjetike po tradhtonte idealet e leninizmit. Në një përpjekje për të shuar çarjet në rritje ndërmjet superfuqisë dhe aleatit të saj mesdhetar, në maj të vitit 1959, Nikita Hrushovi dhe ministri i tij i Mbrojtjes, mareshali Malinovski, vizituan Shqipërinë. Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të Hoxhës për historinë e Shqipërisë, udhëheqësi sovjetik u ftua të vizitonte së pari koloninë greke të Apolonisë dhe më pas udhëtoi, nëpërmjet detit, me anije, drejt brigjeve të Butrintit. Përgatitjet e kryera në Butrint nxorën së fundi në shesh motivet dhe ndryshimet thelbësore ndërmjet dy udhëheqësve. Një rrugë e re, rreth 20 km e gjatë, u ndërtua nga porti i Sarandës, ku zbarkoi Hrushovi, deri në qendrën arkeologjike të Butrintit. Në Butrint, ku arkeologjia dhe natyra janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme, duke iu frikësuar rrezikut për jetën e udhëheqësit sovjetik, Enver Hoxha mori masa të jashtëzakonshme. U dogjën kosheret e bletëve aty rrotull, në mënyrë që bletët të mos pickonin udhëheqësin sovjetik, ndërsa gjarpërinjtë u shfarosën me barna të përgatitur enkas. (Askush nuk u kujtua për rëndësinë që kishin gjarpërinjtë për faltoren e Asklepit). Trupat e tyre mbushën teatrin e lashtë. Ismail Kadare, shkrimtari i mirënjohur shqiptar, e ka përfshirë këtë episod në romanin “Dimri i Madh”, botuar në vitin 1977… Në librin e tij, “Hrushovianët”, botuar në 1980-n, Enver Hoxha e përshkruan udhëheqësin sovjetik si një njeri të vrazhdë dhe të pakulturuar, krejtësisht të pandjeshëm ndaj mrekullive të qendrës më të madhe arkeologjike të Shqipërisë: “Edhe punimet tona arkeologjike ai na i kritikoi si ‘gjëra të vdekura’. Kur vizitoi Butrintin ai na tha: ‘E përse harxhoni gjithë këto forca dhe fonde me gjëra të tilla të vdekura?. Lërini helenët dhe romakët në lashtësinë e tyre’. Hrushovi ishte vërtet i paditur në këto fusha. Ai shihte vetëm ‘leverdinë’. ‘E përse do t’ju vlejnë këto? E rrisin mirëqenien e popullit?’, më pyeti dhe thirri Malinovskin, ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, që e mbante kudo pranë: ‘Shiko ç’mrekulli është këtu, – dëgjova tek pëshpëritnin, – mund të ndërtohet një bazë e përkryer për nëndetëset tona. Të gërmohen dhe të hidhen në det këto vjetërsira (fjalën e kishin për objektet arkeologjike të Butrintit), ta shpojmë këtë mal dhe të dalim matanë’, dhe treguan me dorë Ksamilin. ‘Do të kemi në dorë bazën më të përkryer e më të sigurt në Mesdhe. Që këtej mund të paralizojmë e të sulmojmë gjithçka’”. Dëshira e Hrushovit për të ndërtuar një bazë nëndetësesh nuk u pranua nga Enver Hoxha. Si për t’i keqësuar gjërat mes dy udhëheqësve, anija që duhet t’i çonte nga liqeni i Butrintit në Sarandë u prish në mes të rrugës. Udhëheqësi sovjetik u tërbua. Gjashtë muaj më vonë, Enver Hoxha ndërpreu marrëdhëniet mes dy vendeve, duke i denoncuar sovjetikët si tradhtarë.
(Marrë nga albumi “Butrinti i përjetshëm”)

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment