Ende pa vendim për regjistrimin në veri

Regjistrimi i popullsisë nuk është zhvilluar ende veri të Kosovës. Ky proces po vazhdon të kundërshtohet nga serbët lokalë, të cilët kërkojnë nga qeveria e Beogradit ose administrata e OKB-së ta realizojë procesin në fjalë.

Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike dhe ata të Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë, thanë se ende nuk është hequr dorë nga realizimi i këtij procesi edhe në atë pjesë të vendit.

Kryetari i Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, i tha Radios Evropa e Lirë, se në javën e ardhshme do të dihet saktësisht se kur dhe a do të realizohet ky proces.

“Ende ka hezitime për po ose jo. Kështu që brenda 3-4 ditësh, përfundimisht, ne do ta dimë se sa solli rezultat angazhimi i UNOPS-it me përfaqësuesit e pakicës serbe në veri”, tha Blaku.

Nga ana tjetër, partitë opozitare vlerësuan se Qeveria qëllimisht e ka angazhuar Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), për të bërë negociata me serbët atje dhe, eventualisht, regjistrimin në atë pjesë, për shkakun që të mos e marrë përgjegjësinë për dështimin e saj të radhës.

Anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Melihate Tërmkolli, ish-ministre e Administratës Publike, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë ka dështuar në përgjithësi.

“Është një proces i pasaktë dhe i parregullt teknikisht. Ndërsa, në veri, edhe po ta mbajmë, është i dështuar për faktin që nëse eventualisht do ta mbajnë, do ta bëjnë me strukturat e Beogradit. Përveç kësaj, e bën një organizatë ndërkombëtare që faktikisht është i dështuar në aspekt të sovranitetit të vendit edhe të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, vlerësoi Tërmkolli.

Ajo u shpreh se tashmë ekziston rreziku që veriu i vendit të përfshihet në regjistrimin e popullsisë së Serbisë, e cila ka planifikuar që regjistrimin e popullsisë së saj ta bëjë në tetor të këtij viti.

Përfaqësuesit e UNOPS-i thuhet se janë duke i negociuar marrëveshjet me banorët e veriut mbi kushtet, me të cilat ata do të pranonin zbatimin e regjistrimin në veri. Këto negociata nga ekspertët vlerësohen ta kenë bërë të ndikuar nga pazaret politike procesin e regjistrimit të popullsisë në veri. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment