Dy të huaj zbulojnë sekretet e fotografisë shqiptare

“Shqipëria 1858-1945, një rrugëtim fotografik” është në të vërtetë epoka e artë e fotografisë shqiptare, është vazhdimësi e ekspozitës që u hap muaj më parë në Muzeun Botanik të Brukselit, nën titullin “Mosha e artë e fotografisë shqiptare”, nga Loic Chauvin, gjithashtu autor i librit “Shqipëria, fytyra e Ballkanit” dhe Christian Raby, profesor i Filozofisë dhe Fotografisë në Universitetin e Parisit. Ashtu si në ekspozitë, edhe në botimin e tyre fotografik dy profesorët janë munduar të sjellin një vështrim historik të fotografisë shqiptare për periudhën 1858-1945. Në fakt përtej fotove unike, disa madje publikohen për herë të parë, që prezantohen në këtë album bardhe e zi, interesante është historia e dy autorëve Loic Chauvin dhe Christian Raby në udhëtimin e tyre në Shqipëri në kërkim të negativave në pllaka xhami, që për ta përfaqësonin kohën e artë të fotografisë shqiptare. Por sigurisht që s’e kanë patur aspak të lehtë. Hasën vështirësi në identifikimin e autorëve të shumë fotografive që gjetën në arkivat shqiptarë. Disa prej tyre ishin anonimë e disa të vulosura me “Top sekret”. Por sikur të mos mjaftonin këto, shpesh pengesat burokratike vetëm e vetëm sepse puna e tyre kërkimore shihej me dyshimin se Përse dy të huaj interesoheshin kaq shumë për historinë e fotografisë shqiptare, dhe kjo ua vështirësonte pa shkak punën kërkimore.

Dosjet të vulosura “Tepër sekret” të fotografëve

Dy profesorët kanë udhëtuar në Shqipëri, ku janë përpjekur të mbledhin dëshmi dhe fakte rreth historisë së fotografisë shqiptare. Ata për një kohë të gjatë kanë gërmuar nëpër dosjet e Arkivit të Shtetit. Sigurisht që nuk e kanë patur aspak të lehtë, siç rrëfejnë edhe vetë përvojën e tyre në Shqipëri. Fotografitë që ata paraqesin në këtë album janë fryt i viteve të gjata hulumtimi, që nisin nga Arkivi i Shtetit e përfundojnë në fondet private. Arkivi i Shtetit zotëron një fond fotografik, ku përveç stampimeve të panumërta në letër, ka rreth 6000 deri në 7000 negativa në pllaka xhami të formateve të ndryshme, që përbëjnë një koleksion të jashtëzakonshëm për historinë e fotografisë shqiptare. E për dy profesorët e fotografisë kjo ishte parajsa. Ja çfarë shkruajnë ata rreth kërkimit të tyre në Arkivin e Shtetit. “Arkivi shqiptar është interesuar deri sot për skenat e paraqitura nga një pikëpamje historike apo etnografike, më fort sesa nga një pikëpamje fotografike. Pjesa më e madhe e klisheve kushtuar ngjarjeve më së shumti familjare dhe private, janë anonime…Të kujt ta quajmë këtë apo atë punë? Për ne është detyrë e vështirë. Falë një sasie fotografish që quhej se ishin të Vani Burdës, patëm shpresuar për një farë kohë se mund t’i konsideronim si po të këtij artisti disa fotografi ku shiheshin të njëjtat sfonde të pikturuara. U zhgënjyem kur zbuluam se ato fotografi quheshin se ishin të Thimi Racit, me po ato sfonde. ….Shumë prej autorëve të këtyre fotografive mbeten anonimë. Ndoshta disa prej tyre i pret përfundimisht ky fat, siç është rasti i shumicës së autorëve të negativave në pllaka xhami, apo të stampimeve në letër, që ruhen në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Për arsye përvetësimi, trashëgimie a sekuestrimi nga policia e fshehtë e diktaturës komuniste, emri i autorit ka humbur fare ose shpie në ngatërresa të tilla që vështirë se mund të kapërcehen. Disa të tjerë janë identifikuar, por biografia e tyre mbetet shumë e paqartë. Kështu, çfarë mund të mësojmë, bie fjala, për Dhimitër Vangjelin, këtë fotograf nga Erseka, një qytet në juglindje të Shqipërisë? Kopertina e rimtë e albumit ku gjendet e mbledhur puna e tij fotografike është damkosur nga autoritet komuniste me shënimin: “Tepër sekret”. Po çfarë zbulojnë vallë ato pamje të gjykuara si të dyshimta a të rrezikshme nga regjimi i Enver Hoxhës? Ceremoni martesash, varrimesh, portrete familjare, skena të rëndomta të një kohe të perënduar. Vetëm atëherë jemi në gjendje ta kuptojmë e ta shohim se ç’përmasa kishte marrë e keqja: e gjithë puna paskësh qenë që të mbahej e fshehur thjesht jeta e përditshme e kohës para regjimit totalitar.”

Vështirësia për të hyrë në arkiva

Por sigurisht që ata s’e kanë patur aspak të lehtë të hyjnë në arkivat shqiptarë. Burokracitë por dhe dyshimet që ngjallte fakti se dy të huaj interesoheshin për historinë e fotografisë shqiptare, ua vështirësonin punën e tyre kërkimore. “Ishte e qartë që po ngjallnim dyshime. Kështu autorizimet ministrore që merrnim në Tiranë nuk kishin më kurrfarë peshe sapo dilnim nga periferitë e kryeqytetit, negociatat zgjatnin pa fund, lakadredhat burokratike bëheshin pështjelluese, vulat e nevojshme ishte e pamundur të gjendeshin. Por duhet thënë se nga ana tjetër kemi patur përherë përkrahjen e palëkundur të Arkivave të Shtetit”- tregojnë aventurën e tyre autorët Loic Chauvin, dhe Christian Raby.

Pak histori…

Pjetër Marubi qe i pari i fotografëve shqiptarë. Në fakt ai ishte italian dhe u bë shqiptar pasi kërkoi strehim politik në Shqipëri. I lindur më 1834 në Piaçencë të Emilje Romanjës, në rini Pietro Marrubbi, që më pas e shqiptarizoi emrin në Pjetër Marubi, u vendos në Shkodër. Shpejt shfaqi interes për artin e fotografisë që po lindte asokohe. Iu kushtua atij me aq zell, sa e ktheu në veprimtarinë e vet profesionale, duke hapur të parën studio fotografike në Shqipëri. Fotografia e parë e njohur me emrin e Pjetër Marubit, e shkrepur në vitin 1858, paraqet portretin e një patrioti shqiptar: Hamzë Kazazit, ndërsa fotoja e dytë është ajo e Leonardo de Martinos, një poet arbëresh. Brezi i dytë i Marubëve përfaqësohet me Kel Marubin, nxënës i Pjetër Marubit, ndërkohë që brezi i tretë përfaqësohet me djalin e Kelit, Gegë Marubi. Në Shkodër punuan në artin e fotografisë pararendësit e Pjetër Marubit: Kel Marubi (1870-1940). Kolë Idromeni (1860-1939), duke e afirmuar qytetin e Shkodrës si kryeqytetin e fotografisë shqiptare. Shan Pici dhe Dedë Jakova, dy nga emrat më të shquar që pasuan artin e fotografisë, ishin nxënës të Kel Marubit. Por ndërkohë edhe në Korçë kishte filluar të shfaqeshin artistët e fotografisë, si Kristaq Sotiri (1883-1970) dhe Vangjush Mio (1891-1957). Përveç Shkodrës dhe Korçës edhe krahina të tjera të Shqipërisë kanë zhvilluar artin e bukur të fotografisë, si Tirana, Berati, Elbasani, Durrësi dhe Gjirokastra, të cilët kanë patur përfaqësuesit e tyre, ku më të njohurit janë Lilo Xhimitiku nga Berati apo Sotir Beu nga Elbasani.

Margaret Hasluck, agjentja angleze e fotografisë

Interesant është fakti që në arkivat shqiptarë të gjesh dhe artin e një fotografeje të huaj, siç ishte Margaret Hasluck, “një skoceze që u bë shqiptare me zemër” - shkruajnë autorët e albumit. Pasi i ra kryq e tërthor Ballkanit, bashkë me të shoqin arkeolog Frederick Hasluck, Margaret u vendos në Shqipëri menjëherë pas vdekjes së parakohshme të të shoqit, ku do të jetonte për 13 vjet me radhë në një shtëpi që ajo vetë e ndërtoi në qytetin e Elbasanit. Jetoi aty deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Menjëherë pas pushtimin italian, ajo u dëbua nga vendi si një nga mbështetëset kryesore të çështjes shqiptare. Por edhe pas dëbimit, ajo mbështeti çështjen shqiptare, si agjente zbulimi në shërbim të Anglisë. E sëmurë me leucemi, ajo do të vdiste në vitin 1948 në moshën 63-vjeçare, duke e lënë, sipas saj, të papërfunduar veprën e vet rreth Shqipërisë. Margaret Hasluck ishte dhe specialiste e gjuhës dhe kulturës shqipe. Falë saj, do të botohej gramatika e parë e krahasuar shqip-anglisht dhe antologjia e parë e letërsisë shqipe. Puna fotografike, së cilës ajo i qe kushtuar paralelisht, është dëshmi e një realiteti shumë më të thellë. Ajo është përfshirë në këtë album si një nga përfaqësueset e fotografisë shqiptare.




(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment