Depozitat, 63 mijë milionerët shqiptarë

Vetëm 4 për qind e depozituesve zotërojnë 55 për qind të parave në banka. Raporti i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, i cili u diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë, zbulon shifra lidhur me mënyrën se si është ndarë paraja në vend. Kështu, vetëm me një llogaritje të thjeshtë mesatare bazuar mbi të dhënat që jep ASD, rezulton që mesatarja e një depozite e atyre që kategorizohen si “të pasur”, të jetë diku te 55 mijë dollarë; kjo, nëse pjesëtojmë 349.8 miliardë lekë për 62 663 persona që i zotërojnë këto depozita, nga ku del dhe shifra rreth 55 mijë USD. Pjesa tjetër e parave, 44 përqindëshi, që është në vlerën 286.2 miliardë lekë, i pjesëtuar me numrin e atyre që zotërojnë këto depozita, që është 1 milion e 403 mijë e 186 persona, na nxjerr si përfundim që një depozitë mesatare e një “të varfri” është rreth 2 mijë dollarë. Mjafton të bëjmë krahasimin mes këtyre dy përfundimeve dhe rezulton që diferenca mes një depozite të pasur dhe një depozite të varfër është 53 mijë USD. Pra, të pasurit kursejnë 53 mijë USD më shumë se të varfrit. Shqipëria rezulton të ketë rreth 63 mijë milionerë dhe një pjesë të madhe njerëzish me kursime modeste. Sipas Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, ky është raporti i vitit 2010, i cili shënoi përmirësim dhe në një aspekt tjetër që lidhet me numrin e depozitave të siguruara. “Depozitat e individëve, që janë subjekt i skemës së sigurimit të depozitave, zënë një peshë prej 81 përqindësh kundrejt totalit të depozitave në sistemin bankar, depozita për të cilat për periudhën njëvjeçare, dhjetor 2009-dhjetor 2010, u rritën me 18 për qind. Në fund të vitit 2010 rezulton se 96 për qind e individëve në sistemin bankar i kanë depozitat e tyre deri në 25 milionë lekë dhe janë të mbuluara plotësisht nga skema jonë”, tha drejtuesja e ASD, Silvana Sejko, në fjalën e saj, ndërkohë që zbuloi edhe planin për punën e vitit 2011. Ndër këto objektiva përfshiheshin: vlerësimi i një sërë dokumenteve rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe trajnimi i stafit. Në fund deputetët e maxhorancës në Komision miratuan raportin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

55 mije dollare
është mesatarisht depozita e atyre që mund të konsiderohen “të pasur”, sipas përllogaritjes së numrit të depozituesve me shifrën mbi 25 milionë lekë dhe sasisë së parave të depozituara

2 mije dollare
është mesatarisht depozita e individëve që mund të kategorizohen te pjesa e “të varfërve”, sipas përllogaritjes së numrit të depozituesve me shifrën nën 25 milionë lekë dhe sasisë së parave gjithsej

Te dhenat e ASD

. Numri total i depozituesve 1 465 849 persona

. Depozita nën 2.5 milionë lekë 96%, ose
1 403 186 persona

. Depozita mbi 2.5 milionë lekë 4%, ose
62 663 persona

. Totali i depozitave 2010 636 miliardë lekë

. Rritja në 2009-2010 18,2 për qind

. Ndarja e depozitave

• 55 për qind të depozitave i kanë 4% e depozituesve/ose 62 663 persona kanë të depozituar në banka 349.8 miliardë lekë

• 45 për qind të depozitave i kanë 96% e depozituesve/ose 1 403 186 persona kanë të depozituar në banka 286.2 miliardë lekë




(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment