Cesena, pas Kasamit

Pajtim Kasami mund të largohet nga Palermo gjatë kësaj vere. Mediat italiane shkruajnë se mesfushorit shqiptar ia ka vënë syrin skuadra tjetër nga Serie A, Cesena.

19 vjeçari nga Maqedonia me pasaportë zvicerane ishte rezervist tek ekipi sicilian gjatë sezonit që shkoi. Andaj, sipas mediave italiane, ai mund t’i bashkohet reprezentuesit shqiptar Erjon Bogdanit te Cesena, ku do të kishte hapësirë më të madhe për të luajtur.

Madje, TuttoPalermo.net ka raportuar te shtunën se, sipas të gjitha gjasave, nga sezoni i ardhshëm Kasami do ta veshë fanellën e Cesenas.

“Sipas burimeve mirë të informuara, Kasami mund të kalojë në Stadio Dino Manuzzi në formë huazimi, në kërkim të paraqitjeve më të shpeshta, të cilën mundësi nuk e kishte tek Palermo”, ka raportuar kjo uebfaqe, sipas të cilës, në të dyja klubet ekziston vullneti për ta përshpejtuar procesin e këtij transferimi.

Duhet theksuar se raportet e drejtuesve të Palermos me ata të Cesenas kanë qenë gjithmonë të mira. Ditëve të fundit raportohej se edhe Roma ka shprehur interesim për ta transferuar Kasamin.

(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment