Car Llazarët “pushtojnë” Kosovën

Beteja e humbur e Kosovës nga ana e Serbisë, 622 vjet më parë, vazhdon të festohet nga serbët në Kosovë. Nën organizimin e partive, kryesisht opozitare nga Serbia dhe strukturat paralele serbe në Kosovë, pritet që kolonat me serbë të nisen si zakonisht nga veriu dhe qendra të tjera të banuara me serbë, për në manastirin e Graçanicës dhe për në Gazimestan.

Simbolikisht ky marsh nënkupton rikujtimin dhe shënimin e një ngjarjeje historike, por për këto dy dekadat e fundit, shënimi i kësaj feste në Kosovë më shumë ka sjellë mesazhe kërcënuese për paqen, stabilitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës. E ashtuquajtura “Garda e Car Llazarit” si dhe grupe të tjera nacionaliste serbe, pritet të marshojnë për në Gazimestan, madje edhe të përdorin fjalë poshtëruese ndaj kombit shqiptar.

Megjithatë, sivjet mund të jetë një festë pak më ndryshe. Apo edhe dy lloje festimesh. Disa liderë komunalë serbë që njohin dhe punojnë në institucionet e shtetit të Kosovës kanë plane për organizimin e një feste pa programe që fyejnë dhe cenojnë ndjenjat shqiptare, thonë burime qeveritare. Sipas tyre, ata do t’u japin shembull serbëve nga veriu se mund të festohet pa lënduar ndjenjat e të tjerëve.

Shteti më i ri edhe sivjet duket se do të përçojë mesazhe të tolerancës dhe nuk do të pengojë askënd që të festojë, por duke i paralajmëruar që të mos ketë simbole e pamflete që nxisin urrejtje ndërnacionale.

Festa serbe tashmë ka filluar. Nga e diela në shumë enklava serbe ka nisur të festohet. Kurse mesazhet kërcënuese erdhën nga veriu, atje ku u mbajt një rok-koncert i motoristëve e politikanëve serbë bashkë, të cilët i bashkonte kënga, alkooli dhe mesazhet urrejtëse ndaj fqinjëve shqiptarë.

Qeveria e Kosovës nuk ka folur në asnjë rast për këtë ngjarje. Policia ka bërë të ditur se ka përgatitur planin operacional me rastin e shënimit të Vidovdanit.

Një zyrtare për informim e policisë së Kosovës, Sabrie Kamberi, thotë se plani operativ tashmë është përgatitur nga ana e policive rajonale të Prishtinës dhe Mitrovicës.

“Secila drejtori dhe shtyllë në kuadër të policisë i ka të qarta detyrat. Janë të mobilizuar dhe të përkushtuar në mënyrë profesionale”, thotë ajo.

Bazuar në përvojën nga e kaluara kur grupe nacionaliste serbe kanë provokuar dhe mesazhe urrejtëse ndaj shqiptarëve, Kamberi thotë se për gjithçka policia është gati.

“Sigurisht që jemi të gatshëm për çdo veprim dhe situatë”, thotë ajo. Aktive do të jetë sidomos policia në trafik, e cila do të përcjellë lëvizjet e kolonave dhe do të vëzhgojë nga afër automjete që shpien drejt qendrave ku do të festohet. Përveç nga Serbia dhe viset e banuara me serbë nga Kosova, pritet që këtij lloj festimi t’i bashkohen edhe klerikë ortodoksë rusë e grekë.

Zyrtarë qeveritarë nuk e kanë komentuar faktin që një festë e tillë po bëhet tradicionale jo për kremten e saj, çka do të ishte normale, por për nxitjen e urrejtjes ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Madje, sipas një zyrtari të lartë të qeverisë, edhe mediet nuk do të duhej të merreshin shumë me këtë çështje, pasi që sipas tij, gjithçka do të përfundojë me një marsh, këngë e fjalime gjysmëhistorike e gjysmëkishtare dhe në fund secili do të kthehet për në shtëpi të vet.

Heshtjen para “Vidovdanit” ky zyrtar e arsyeton edhe me disa informacione që sipas tij kanë qarkulluar këto ditë, që mund të ketë edhe kundërpërgjigje nga shqiptarët, të cilët, gjithnjë sipas tij, kishin paralajmëruar se do të ekspozonin flamuj e simbole shqiptare rrugës së marshit të serbëve. Ai beson se këta shqiptarë janë bindur që të mos e bëjnë një gjë të tillë, sepse do të shërbente si pretekst për ndonjë provokim eventual.

Vitin e kaluar rreth 1.500 serbë qenë mbledhur në Gazimestan, ku rikujtuan humbjen drastike para më shumë se 600 vjetëve dhe kërcënuan shqiptarët se do t’i dëbojnë nga Kosova.

Në kujtesën e shqiptarëve, nga historia më e re e Kosovës, kjo datë mbahet në mend sidomos nga viti 1989, atëherë kur diktatori Slobodan Milosheviq tuboi serbët nga të gjitha anët e Serbisë në Gazimestan për t’i kërcënuar shqiptarët me suprimimin e autonomisë, çka më pas edhe e bëri, politikë kjo që në fund solli luftën dhe mbi 14 mijë viktima deri në çlirimin e Kosovës nga Serbia me ndihmën e aleatëve perëndimorë.






(www.gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment