Botohet monografia për Bazilikën e Shën Mëhillit

Monografia për Bazilikën e Arapajt, zbulimi i së cilës nisi në vitin 1974 nga Sali dhe Hava Hidri, është botuar së fundmi nga Akademia Austriake e Shkencave. Bashkëshortëve arkeologë Sali dhe Hava Hidri u është dashur plot 12 vjet punë për zbulimin e plotë të Bazilikës, në të cilën gjendet edhe mozaiku ndër më të rrallët në Ballkan. Të dy autorët e këtij zbulimi janë shprehur të kënaqur për vlerësimin që ka bërë kjo akademi, e cila në lidhje me botimin që ka bërë para afro një muaji, u është referuar artikujve të shumtë të botuar në revistat vendase dhe të huaja arkeologjike, bashkautorëve Sali dhe Hava Hidri. Monumenti arriti të zbulohej pas plot 7 vitesh fushata arkeologjike të drejtuara nga Sali dhe Hava Hidri, në tetor 1981, të cilët shprehen se ka qenë në fakt një koinçidencë që monumenti që i përket periudhës së Justinianit, në shekullin VI, të zbulohej në 900-vjetorin e betejës që u zhvillua në këtë bazilikë, midis perandorit Aleks Komneni dhe perandorit të normanëve, Robert Giskardit. 

Beteja e ashpër është zhvilluar më 18 tetor 1081, ku ushtria e Robert Guskardit izoloi brenda në kishë forca të shumta të perandorit Aleks Komneni, duke i vrarë të gjithë ata. Mozaiku i zbuluar brenda bazilikës, në kodrën e kishës së Shën Mëhillit, ka një sipërfaqe prej 54 metër katror, me dy emblema që paraqesin një skenë të eukaristisë dhe tjetra një emblemë baritore. Mozaiku përbëhet nga simbole të krishterimit të hershëm dhe cilësohet si një nga mozaikët më të bukur të arealit ballkanik. Profesore Hava Hidri shprehet se zbulimi është një zbulim i mirëfilltë historik me metoda shkencore. 

Zbulimi nisi duke marrë për bazë burimet e shkruara të historianes bizantine Ana Komnena në veprën “Aleksiada”, si dhe në gojëdhënat, etimologjinë dhe toponiminë e zonës. Ende edhe sot kodra e Arapajt quhet kodra e Shën Mëhillit, por Hava Hidri thekson se ka dy faza të rëndësishme për fatin e bazilikës, pas djegies së ushtrisë brenda saj, ajo u zvogëlua dhe u kthye në një kishë-varrezë. Nga gërmimet e kryera në këtë vend, u gjetën në fakt 61 varre mesjetare, të cilat flasin për fazën e dytë të ndërtimit të bazilikës. Të dy bashkëshortët, që tashmë merren vetëm me studime, kanë theksuar se kanë qenë me fat që u mbështetën që në fillim në idenë për nisjen e gërmimeve nga kryetari i Akademisë Shqiptare të Shkencave, Aleks Buda, i cili bëri shumë përpjekje dhe krijoi të gjitha lehtësirat financiare për mundësimin e shumë fushatave të gërmimeve nga gushti i vitit 974 deri në fushatën e fundit në vitin 1986.




(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment