Bota shënon Ditën e Refugjatëve

Bota shënon më 20 qershor Ditën e Refugjatëve.

Në këtë ditë të rëndësishme, vëmendja përqendrohet tek numri në rritje i civilëve që kanë marrë arratinë për t’i shpëtuar dhunës në botën arabe.

Protestat anti-qeveritare po shtypen me forcë në vende si Libia dhe Siria, duke detyruar dhjetëra mijëra vetë të largohen drejt një të ardhmeje të panjohur.

Shumë refugjatë nuk kanë shumë shpresa të kthehen në atdheun e tyre të mëparshëm.

Kampi i refugjatëve Yayladagi në afërsi të kufirit turk me Sirinë është ngritur në rrënojat e një fabrike duhani.

Aktualisht atje ka rreth 3500 refugjatë; përditë arrijnë familje të tjera.

Banorët e rinj të kampit kanë braktisur shtëpitë dhe pronat në terror.

Ata përfaqësojnë dallgën e refugjatëve sirianë, që largohen për t’i shpëtuar shtypjes qeveritare të protestave pro-demokracisë. Ata janë një nënprodukt i Pranverës Arabe.

Mans Nuberg, nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, thotë se fati i tyre vë në pah vuajtjet e të gjithë refugjatëve.

“Është në fakt hapi i fundit i dëshpëruar që ndërmerr një individ, kur s’i kanë mbetur opsione të tjera. Kur të digjet shtëpia, kur ushtarët të sulmojnë qytetin, ti duhet të ikësh”, theksoi Nuberg.

Kombet e Bashkuara përllogarisin se në botë ka rreth 7 milionë refugjatë, të cilët nuk kanë ku të shkojnë.


(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment