Berisha takohet me shpikësin e Viagrës

Kryeministri pret nobelistin në mjekësi dhe fiziologji, me origjinë shqiptare, Ferid Murad.

Kryeministri Berisha priti dje në mbrëmje, nobelistin në mjekësi dhe fiziologji, me origjinë shqiptare, Prof. Ferid Murad.
Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shpreh se është nder i madh që një shqiptar merr çmimin Nobel.

Gjatë bisedës miqësore, Kryeministri vlerësoi kontributin e shquar të Prof. Murad në fushën e kërkimit e drejtimin shkencor, në mësimdhënie në mjekësi, në institucionet nga më prestigjiozet dhe eksperiencën e gjerë të tij në industri.

Zbulimet tuaja, – u shpreh Kryeministri – kanë ndihmuar e influencuar në mjekësinë kardiovaskulare, hipertensionin pulmonar në bebet premature, diabetin, kancerin dhe shumë sëmundje të tjera.

Kryeministri e njohu Prof. Murad me zhvillimet dhe reformat të mëdha në të cilat ka kaluar vendi nga viti 1992, kur si President i vendit i duhej të drejtonte reforma të rëndësishme për ta nxjerrë vendin nga kolapsi i plotë dhe i gjithanshëm.

Si rezultat i këtyre reformave dhe punës së madhe të shqiptarëve, Shqipëria, veçanërisht në vitet e fundit, ka shënuar ndryshime rrënjësore. Në infrastrukturë, – tha Kryeministri – janë ndërtuar e rindërtuar 8 mijë kilometra rrugë, që kanë shkurtuar ndjeshëm distancën jo vetëm veri-jug, por edhe me Prishtinën dhe tani po punohet për të shkurtuar me 100 kilometra distancën me Shkupin; si rezultat i politikave ekonomike dhe reformave fiskale janë rritur investimet; ku rritje kanë pasur edhe investimet e huaja në fushën e farmaceutikës; janë rritur pagat e pensionet në sektorë kritikë si në arsim, mjekësi. Në fushën e arsimit, një vëmendje e veçantë, – theksoi Kryeministri – i është kushtuar cilësisë së arsimit, si dhe stimulimi e mbështetja financiare për nxënësit më të mirë për të ndjekur universitetet më prestigjioze në botë dhe më pas, përfitimi i kontributit tw tyre në vend, duke synuar të krijohet një atmosferë sa më e mirë për ta nëpërmjet programit Brain Gain.

Kryeministri Berisha e njohu zotin Murad edhe me vlerësimin e Shqipërisë si një nga destinacionet kryesore turistike, nga agjencitë e huaja.

Ferid Murad u shpreh se kishte kënaqësi që, pas 12 vitesh nga vizita e tij e parë në Shqipëri, të shihte ndryshime të dukshme e të rëndësishme. Ai vlerësoi rolin e punën e qeverisë në gjithë fushat e në veçanti në atë të arsimit e mjekësisë.

Prof. Murad u shpreh i gatshëm për të ndihmuar në kooperimet midis universiteteve shqiptare dhe universiteteve të ndryshme, për të mbështetur kërkimin shkencor, formimin dhe punën e shkencëtarëve shqiptarë dhe përparimin e shkencës në funksion të zhvillimit të vendit. Prof. Murad e njohu gjithashtu, Kryeministrin me punimet e kërkimet e tij më të fundit shkencore.

Në vitin 1998, Ferid Murad fitoi çmimin Nobel në mjekësi dhe fiziologji, si dhe është mbajtës i një seri çmimesh të tjera prestigjioze në këtë fushë.




No comments:

Post a Comment