Berisha nderon kujtimin e Nekibe Kelmendit: Simbol i shndërrimit të dhimbjes

Shefi i mazhorancës Sali Berisha e nisi mbledhjen e sotme të grupit kuvendor demokrat me një minutë heshtje në nderim të veprimtares së shquar të Kosovës, deputetes së Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmendi, e cila ndërroi jetë të dielën e 19 qershorit në Prishtinë, pas një sëmundjeje të rëndë.

“Nekibe Kelmendi ishte një nga veprimtaret më të shquara, bashkëpunëtore e udhëheqësit historik të Kosovës, ish-presidentit të Ibrahim Rugova, avokate e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe bashkëshorte e aktivistit të të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi dhe nënë e dy djemve, Kushtrim e Kastriot Kelmendi”, u shpreh kryeministri Berisha.

Duke iu referuar dhimbjes së pësuar pas vrasjes së bashkëshortit të saj Bajram Kelmendi, që do ta paguante me jetën e tij luftën për Kosovën e pavarur duke u vrarë nga fallangat barbare të Millosheviçit 12 vjet më parë, shefi i qeverisë shprehu nderimin më të lartë zonjën Kelmendi.

“Zonja Kelmendi, ishte politikane e nderuar, simboli i intelektuales, i gruas, nënës, politikanes së shndërrimit të dhimbjes, në një forcë të madhe duke patur për dritë, realizimin e qëllimeve të mijëra martirëve të Kosovës”, nënvizoi zoti Berisha.

Ai vlerësoi kontributin e madh të Nekibe Kelmendit në legjislacionin e ri të Republikës së Kosovës.

“Sot çdo shqiptar përulet me nderim të madh përpara personalitetit të saj, para kësaj zonje shqiptare, që u përpoq në çdo moment për interesin më të mirë të kombit të saj. Ajo ishte një ambasadore e shkëlqyer e përpjekjes së madhe të popullit të Kosovës për një Kosovë të lirë, të pavarur si një faktor stabiliteti në rajon. Le ta kujtojmë me një minutë heshtje kujtimin e saj, që bashkë me bashkëshortin, Nekibe Kelmendi të gjejë paqen që meriton”, deklaroi kryeministri.

Në përfundim të nderimit me fjalët “I paharruar qoftë kujtimi i saj’, grupi parlamentar i demokratëve u ngrit në këmbë për të mbajtur një minutë heshtje në kujtim të politikanes së shquar të Kosovës.

Nekibe Kelmendi ka mbajtur portofolin e ministrit të Drejtësisë në qeverinë e kaluar të Kosovës, si dhe ka kryer funksione të larta partiake në Lidhjen Demokratike të Kosovës të themeluar nga lideri historik i Kosovës Ibrahim Rugova.

Zonja Kelmendi humbi bashkëshortin e saj, avokatin e njohur Bajram Kelmendi, i cili u vra nga forcat e ushtrisë serbe në vitin 1999, ditën kur nisën bombardimet e NATO-s në Kosovë.


(noa.al)

No comments:

Post a Comment