Basketboll, tërhiqet O’Neal

Legjenda e basketbollit amerikan, 39 vjecari Shaquille O’Neal njoftoi tërheqjen nga ky sport pas 19 vitesh mbushur me suksese.

Lajmi u njoftua nga vetë Shaquille O’Neal për fansat e tij nëpërmjet një video në rrjetin social Twitter.

“Ja dolëm mbanë, plot 19 vjet dhe dua t’u falenderoj, ndaj po ju njoftoj juve të parët: do të tërhiqem”, thotë O’Neal në videon e shpërndarë në faqen e tij të Twitter.

Ndërkohë, një zëdhënës i Boston Celtics, skuadra ku luan aktualisht O’Neal, tha për mediat se basketbollisti nuk kishte njoftuar skuadrën për planet e tij.

Për 19 vite ma radhë O’Neal ka luajtur në gjashtë skuadra në NBA, Orlando Magic, Los Angeles Lakers, Miami Heat, Phoenix Suns, Cleveland Cavaliers dhe Boston Celtics.

Gjatë karrierës së tij ai ka arritur të fitojë katër tituj kampionë të NBA-së dhe u zgjodh “lojtar më i cmuar” i ligës amerikane të basketbollit në vitin 2000.
(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment