Alma Alikaj: Ja pse kanë ndryshuar gjërat mes meje dhe Antonios...

Mes tyre gjërat nuk janë më si më parë. Edhe pse Alma Alikaj dhe Antonio kishin planifikuar një dasmë përrallash në kalanë Rozafa, tashmë diçka ka ndryshuar në marrëdhënien e tyre.
Mund të flasim për një krizë në çift, megjithëse Alma e ka konsideruar këtë krizë si një debat të rëndë. Për arsyet e kësaj “krize”, por edhe për të ardhmen e marrëdhënies së saj me të fejuarin italian, Alma rrëfehet në këtë intervistë.Alma je larguar paksa nga vëmendja mediatike.


Ku je vendosur aktualisht dhe me se po merresh?

Jam kthyer në Itali. Tre muaj pushime ishin më tepër se ç’duhej për aktivitetin tim. Ditën e parë që u ktheva nuk kam vajtur në shtëpi, por direkt në dyqan. Përveç aktivitetit ekzistues në Itali jam gjithashtu shumë e zënë me përgatitjen e një dyqani në Shkodër, i cili do inaugurohet në fund të këtij muaji! Shpresojmë mirë (qesh).

Si vazhdon marrëdhënia jote me fansat?

Nuk i quaj fansa, por miq, miq të vërtetë. Ata janë miq, të cilët më mbushin dhe lumturojnë ditët. Mundohem të jem e pranishme dhe t’ju përgjigjem të gjithëve edhe pse besomëni është e pa mundur, sepse janë me të vërtetë shumë. U jam në borxh për të gjithë jetën, për mbështetjen dhe përkrahjen që më kanë bërë si brenda, ashtu dhe jashtë shtëpisë. Ata kanë ndenjur pa gjumë për të më ndjekur dhe mirënjohja është minimumi që mund të bëj për ta. Gjej rastin t’i falënderoj nga zemra miqtë e mi.

Ke munguar për disa ditë në Fb dhe fansat kanë hedhur lloj-lloj idesh…
Më kanë vjedhur 2 herë passwordin dhe kjo është e treta, jam pa fat (qesh). Herën e parë më mbyllën dy fan-page, që kishin hapur miqtë e mi, ndërsa këtë herë nuk ia arritën sepse e rikuperova në kohë. Shpresoj të mos ndodhë më dhe shpresoj që ata njerëz të kenë diçka më interesante për të bërë në jetën e tyre.

Po me ish-banorët e BB 4 vazhdon të ruash të njëjtat raporte? Ka ndryshuar ndonjë sjellje?
Pak a shumë me të njëjtët që kam thënë gjithmonë edhe pse jashtë “Big Brother” shumë nga banorët nuk ishin ata që u dukën në shtëpi. Ndoshta dolën në natyrën e tyre dhe brenda thjesht shtireshin. Disa raporte janë forcuar edhe më shumë, ndërsa disa të tjera janë ezauruar. Të them të drejtë disa persona është më mirë t’i humbasësh, sesa t’i gjesh.



Tashmë ka ardhur vera, ke menduar se ku do t’i kalosh pushimet?
Me gjithë këto plane dhe punë që kam, sinqerisht nuk kam menduar. Siç e thashë edhe më lart, këtë vit pushimet kanë qenë më se të gjata (qesh). Tani ka prioritet puna. Ëndrra ime është “Bora-Bora”. Kushedi!

Kur do të kthehesh përsëri në Shqipëri?

Në fund të muajit qershor.

Ke kaluar një kohë të gjatë në Kosovë së bashku me Alkenën dhe Klaudian. Si u ndjeve atje?

Jam ndjerë mrekullisht mirë, si në shtëpinë time. Adhuroj shqiptarët e Kosovës për ngrohtësinë dhe mikpritjen fantastike që më kanë bërë. Po këto ditë mes femrash ia kishim premtuar brenda në shtëpi njëra-tjetrës dhe të treja i mbajmë premtimet. Jemi relaksuar dhe argëtuar pa masë, duke ju lënë vend edhe kujtimeve të bukura të shtëpisë së “Big Brother 4”.

Ka qenë kohë reflektimi për ty?

Reflektim? Jo. Kam reflektuar për tre muaj dhe atje jo. Kishim ditë kaq të ngarkuara dhe dëshirë të madhe për të vizituar vendet e mrekullueshme saqë nuk kishte kohë për reflektim.

Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde?

Asgjë, kam po të njëjtën jetë që kisha më parë.

Me Antonion si shkojnë punët? Vazhdoni me projektin e martesës në gusht në kalanë Rozafa?

Mirë faleminderit (qesh)! Projekti vazhdon.

Kemi fjalë se marrëdhënia juaj është ftohur. Sa e vërtetë është kjo?
Çdo raport normal ka ngjitjet dhe uljet e veta. Çdo çift grindet, por jo për këtë të dalin në gazetë.

Cilat kanë qenë arsyet e debateve?
Gjatë atyre muajve që unë isha në shtëpinë e famshme, Antonio është përballuar me shumë situata të vështira. Njerëzit nganjëherë tejkalojnë çdo limit të mundshëm dhe kulmi i shpifjeve ka arritur në maksimum. Stresi i mbledhur herët, apo vonë shpërthen. Askujt nuk i pëlqen të shohë të shkruara shpifje të tmerrshme për të fejuarën dhe pak fajtore më ka vënë edhe mua për pjesëmarrjen. Pastaj ai është shumë xheloz, por ç’të bësh!? Nuk mund të jetë i përkryer, ndryshe nuk do të ishte tokësorë (qesh).

Jeni ndarë?

Kemi debatuar rëndë, por nuk jemi ndarë.

Fansat kanë reaguar për shkak se ke ndërruar statusin, ku thua se je në një lidhje të hapur me Alkenën dhe jo me Antonion si më parë. Cili është komenti yt për këtë?

(Qesh). Sipas jush si mund të jetë? Është vetëm një shaka mes meje dhe Alkenës.

Si mund të na i përshkruaje ndjenjat që tani ke për Antonion? Ka mbaruar dashuria mes jush?

Kanë ndryshuar shumë gjëra, por dashuria nuk ka mbaruar.

Çfarë projektesh ke për të ardhmen Alma, ku dhe me kë?

Kam shumë projekte, sepse jam e mbushur me ide. Një nga projektet që kam më për zemër është një projekt bamirësie për jetimët. Unë dhe Alkena po angazhohemi shumë që të ecë sa më shpejt dhe sa më mirë. Ka 15-vjet që nuk kam kaluar më shumë se 10 ditë në Shqipëri, përpara se të futesha në “Big Brother” dhe kjo kohë që qëndrova ka ndryshuar pak planet e mia. Më duket se do të kthehem shpejt të jetoj atje.

(vipat.info)

No comments:

Post a Comment