Akuzat për HEC-et, Gjykata gjobit me 10 milionë Felajn

Një konferencë për shtyp, do t’i kushtojë deputetes së PS-së, Ermonela Felaj, 10 milionë lekë të vjetra.Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë deputeten e PS-së pas akuzave të bëra ndaj kompanisë “Ferar” për marrjen e një konfensioni për ndërtim hidrocentrali në Bencë. Deputetja Felaj në muajin janar lëshoi akuza ndaj ish-ministrit Genc Ruli dhe kësaj kompanie, por që gjykata i cilësoi si shpifje, duke dhënë edhe një leksion politikanëve shqiptarë për deklaratat e tyre, shpeshherë të pafre. Gjykata çmoi se deklaratat e deputetes së PS-së përbëjnë shkelje të ligjit dhe për këtë ka vendosur ta dënojë atë duke e detyruar të dëmshpërblejë kompaninë “Ferar” për dëmin që i ka shkaktuar. “Gjykata vlerëson se mjeti i përdorur nga pala e paditur paraqet një rrezikshmëri të lartë për dëmin që mund t’i bëhet palës paditëse, duke qenë se mjetet audiovizive e paraqesin mesazhin në mënyrë më të drejtpërdrejtë, më lehtësisht të perceptueshëm dhe ndiqen nga një publik i madh. Në këto kushte, gjykata arrin në përfundimin se deklarata është bërë me dashje dhe ka për qëllim diskreditimin e palës paditëse në sy të opinionit publik. Kjo tregon një rrezikshmëri të lartë dhe njëkohësisht një dëm të madh që mund t’i jetë shkaktuar potencialisht palës paditëse”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës, me gjyqtar Engert Pëllumbi, dhënë në datën 24 maj 2011. Ky vendim i gjykatës jep një standard të munguar prej kohësh në Shqipëri, ku politikanët me imunitete nga të dyja palët kanë dhënë deklarata dhe akuza fyese, por që ka munguar ndëshkimi për ta. Ky vendim i gjykatës, i argumentuar në 13 faqe, merr për bazë edhe praktikën më të mirë të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut. Kompania “Ferar” kërkoi 20 milionë lekë dëmshpërblim mbi deklaratat e deputetes Felaj në konferencën për shtyp, por gjykata vlerësoi se duhet të paguhet gjysma e saj. “Pala e paditur është deputete dhe paga e saj është në majën e piramidës shtetërore të pagave”, thotë gjykata në vlerësimin e gjendjes ekonomike të deputetes për të paguar dëmin e shkaktuar. Gjyqtari ka çmuar se e drejta për të mbrojtur dinjitetin qëndron mbi këto aspekte. Gjithashtu, edhe Kushtetuta jonë i jep imunitet deputetëve për fjalën e thënë në sallën e Kuvendit, por edhe këtu, jo në rastin e shpifjes.

10 milione leke
vendosi Gjykata të detyrojë deputeten Felaj të dëmshpërblejë kompaninë “Ferar” për dëmin që i ka shkaktuar për deklaratat e saj në konferencën për shtyp para selisë së PS-së.


(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment