Aktakuzë edhe për Drejtorin e Doganave të Kosovës,

Pas më shumë se 6 muajsh hetimesh, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të mërkurën ndaj drejtorit të Doganave, Naim Huruglica dhe shefit të Zyrës Ligjore të këtij institucioni, Lulzim Rafuna.Ngritjen e aktakuzës për dy zyrtarët më të lartë doganorë në vend e ka konfirmuar për “Zërin” edhe James Nicolls, zyrtar për media në EULEX. Sipas tij, ngritja e kësaj aktakuze ndërlidhet me dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe abuzim të autorizimeve ekonomike me rastin e importit të madh të duhanit në dhjetor të vitit 2008. Mësohet se në fund të vitit 2008 katër kompani janë lejuar nga Doganat të importojnë sasi të mëdha cigaresh, duke krijuar kështu stoqe marramendëse, ndonëse së shpejti pritej shtrenjtimi i akcizës në duhan.

Përpos ngritjes së aktakuzës ndaj dy zyrtarëve të lartë doganorë, Prokuroria Speciale po të njëjtën ditë ka ngritur aktakuzës edhe ndaj kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxha, kryetarit të Bordit të kësaj ndërmarrjeje Rexhë Gjonbalaj, Blerim e Shkëlqim Devollit dhe Ismet Bojkut në lidhje me rastin “Dardaphone”.

Përndryshe, hetimet ndaj Huruglicës dhe Rafunës kanë filluar më 16 dhjetor 2010 nga Njësia për Hetime Financiare e Departamentit Ekzekutiv të Policisë së EULEX-it, me ç’rast ishin kryer bastisje në tri zyra në selinë e Doganës së Kosovës dhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave (në Departamentin Ligjor) në Prishtinë.

Të pranishëm në vendngjarje në atë kohë kishin qenë edhe prokurorët specialë të EULEX-it, në mënyrë që të mbikëqyrin dhe të sigurojnë mbledhje efektive të dëshmive dhe t’iu ofrojnë personave të pranishëm sqarim të plotë dhe të duhur. Përpos zyrave në selinë e Doganës dhe MEF, EULEX kishte bastisur edhe tri shtëpi private, të cilat bastisje ishin autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it pranë Gjykatës së Qarkut të Prishtinës.

Gazeta “Zëri” të mërkurën ka tentuar ta kontaktoj nëpërmjet telefonit edhe drejtorin e Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, në lidhje me aktakuzën e ngritur ndaj tij, mirëpo ky i fundit nuk është përgjigjur fare në telefon. (Telegrafi)

No comments:

Post a Comment