8 vjet “Zonë e Lirë”, cilët janë në të vërtetë të ftuarit e Çanit

Tetë vjet “Zonë e Lirë”, dhe tetë të ftuar për çdo bisedë televizive pa frena, ashtu siç vetëm ai di ta bëjë. Arian Çani e ka mbyllur kështu emisionin me nr. 303 dhe sezonin 2010-2011, mbrëmë në një show plot adrenalinë, të transmetuar “live” në “Vizion Plus”.
Një natë e lirë, që pati një orë nisje 09:00 pm, por që s’dihej ora e mbylljes, ka sjellë bashkë 24 personazhe, të cilat Çani i kishte ftuar të premten mbrëma për të mbyllur e festuar “Zonë e lirë”, në studion krejtësisht verore të improvizuar në “Bistro Pool”. Një format ku bëhen biseda të rëndësishme e rozë, me interes publik e me jetë private, i njohuri me të panjohurin takohen në një studio plot drita dhe shkëmbejnë batuta. Arian Çani ka menduar të sjellë 24 personazhe, duke përdorur kësaj here si etalonin e mbrëmjes pyetjen: “Cilët janë ata në të vërtetë”? Nisur nga ngjarja më e rëndësishme politike e vitit, zgjedhjet lokale, ai ka përdorur frazën e një spoti publicitar “Kush është në të vërtetë Lulzim Basha”.

Kështu, para prezantimit të tri grupeve të ftuarish me tetë personazhe secili, Çani ka transmetuar Info Zonat me titull: “Cila është 8-shja në të vërtetë?”: I kishte mbledhur të gjithë së bashku për të marrë përgjigjet e munguara deri tani. Në një kombimin ngacmues me njëri-tjetrin me të papritura, batuta dhe shumë alegri, kishte organizuar grupet e veçanta që nga i ftuari i parë Artan Fuga dhe deri tek të ftuarit e fundit, Olsi Mingomataj dhe Olta Gixharit, që për herë të parë u shfaqën në ekran si çift.

Çani u bën të ftuarve pyetjet që i bëjmë vetes
Artan Fuga
Filozofi i tij preferuar në «Zonë e lirë» për t’iu përgjigjur pyetjes që ia bëjmë vetes të gjithë: A ekzistojmë në të vërtetë apo jo?
Sazan Guri
Për «qytetarin e përgjegjshëm në këtë vend», i cili kishte thyer këmbën, Çani kishte përgatitur pyetjen : «A mund të bëhemi të gjithë vegjetarianë?»
Mimoza Ahmeti
«Për personazhin e pazakontë që vazhdon të na çudisë të gjithëve me komunikimin e saj shpeshherë qiellor, kishte një kuriozitet special se «Si mund të jetë kaq e lirë një femër?»
Pastor Akil Pano
«Njeriu i perëndisë më i famshmi në Shqipëri», ai ishte në studio për t’iu përgjigjur pyetjes : «Po sikur një ditë të zbulojmë se Zoti nuk ekziston, ç’të bëjmë me Kishën?»
Shpat Kasapi
Për këngëtarin simpatik nga Maqedonia, pyetja ishte shumë private dhe kishte të bënte me Afërditën: A e rrahu Afërdita, e fejuara e tij, kur mori vesh se Shpati nuk e fitoi dot Jaguarin e DWS…
Gena
Këngëtari që bën bën para pa fund nga koncertet e tij të shumta ishte i ftuar për të treguar se : Përse nuk preferohet nga media shqiptare si personazh…
Andi Tela
Drejtori i gazetës më të madhe në Shqipëri dhe miku i vjetër i Çanit, me të cilin kemi bërë «Gazetën Shqiptare» për 5 vjet, tha Çani në “Zonë e lirë” për t’iu përgjigjur pyetjes : Ç’i duheshin Irfanit edhe Gazeta Shqiptare, News24, Balkanweb dhe Radio Rash… A nuk i mjaftonte vetëm Panorama?
SINAN HOXHA
Këngëtari që kushton 6000 euro për një natë, ishte për të treguar se përse kohët e fundit shoqërohet vetëm me femrat dhe e ka lënë Seldin pas dore
ILIR SHAQIRI
Balerini dhe koreografi i njohur shqiptar i italianizuar mbase nuk e kishte marrë me mend që do të pyetej për Kledi Kadiun dhe Ambeta Toromanin, se si do të bëhet tani që ata nuk janë më kaq të famshëm sa ai në Shqipëri.
IVA TIÇO
Gazetarja e revistave femërore mori një pyetje të tipit : Po vetë kjo Iva, kur do martohet vallë se na çmendi?
ROVENA STEFA
Këngëtarja e njohur shqiptare, tashmë e kosovarizuar, ishte për t’iu përgjigjur pyetjes : Kur do e mbyllë atë dreq lokali te Rrota e Kuqe në Durrës që tmerroi nga zhurma plazhistët e Maqedonisë?
INGRID GJONI
Për këngëtaren seksi, siç ai e quajti, kishte dy pyetje që i bëjmë të gjithë: Përse ka bërë sherr me miken e saj të ngushtë, Çiljetën dhe, a është në mes një burrë rreth të 40-ave, me te cilin Ingridi do martohet së shpejti.
ANDI BUSHATI
Për gazetarin, analistin dhe drejtuesin e «Zonë e Ndaluar», njëkohësisht ish-bllokmenin simpatik, ai donte të dinte se përse xhanëm nuk e boton ende librin e jetës së tij me titull «Unë dhe intrigat e Bllokut»
ENVER PETROVCI
Aktori dhe regjisori që fitoi Jaguarin 55 mije euro ‘X Tipe’, edhe pyetjen e mori për këtë. “Kaq shumë e kishte vlerësuar Lorin saqë i fali Jaguarin, që fitoi me djersën e ballit dhe jo vetëm në DWS?”
TAN IMAMI
Aktori me zërin më të trashë bas profond në të gjitha trevat shqipfolëse ishte për të rrëfyer : «Kush e solli Tan Imamin?»
NIADA SALIASI
Aktorja simpatike shqiptare e kosovarizuar, që gjysmën e javës e kalon në Kosovë tek i fejuari i saj prishtinali, duhet të shpjegonte për këtë histori se përse ua preu riskun çunave të Tironës.

OLSI MINGOMATAJ
Personazhi që u bë i njohur në BB1, kishte një ngacmim të veçantë nëse shoqërohet me Olta Gixharin për të fshehur historinë e vërtetë me Noçen me dy krena…
OLTA GIXHARI
Ajo që shpesh është krahasuar me Merlin Monroe dhe e njohur nga publiku i gjerë me «Pamje nga Ura» në krah të Timo Fllokos dhe që u bë më popullore te DËS, ishte për të sqaruar me humor se përse e urrente Zhanerin, përderisa ai nuk kishte më pak zemër se Olsi Mingomataj.

(panorama.com.al)






No comments:

Post a Comment