Shtohet numri i refugjatëve në botë

Shumica nga 15,4 milionë refugjatë në botë jeton në vende të varfra, ku i kanë të kufizuara mundësitë ekonomike, si dhe shanset për të fituar nënshtetësinë, thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara, i cili do të publikohet të hënën, me rastin e Ditës botërore të refugjatëve.

Mbi një e katërta e refugjatëve jeton në tri shtete - Pakistan, Iran dhe
Siri, thuhet në raportin e Komisariatit të Lartë të KB-ve për Refugjatë, në të cilin nuk janë të përfshirë njerëzit e zhvendosur gjatë trazirave të këtij viti në veri të Afrikës, të cilët kanë kërkuar strehim në Evropë.

“Frika nga vala e refugjatëve në vendet e industrializuara është stërmadhuar ose gabimisht është përzier me çështjen e migrimit”, ka thënë komisari i KB-ve për Refugjatë, Antonio Guteres, duke shtuar se u ka mbetur vendeve të varfra që të bartin peshën e çështjes së refugjatëve.

Përveç 15,4 milionë refugjatëve, që në raport me vitin 2009 paraqet rritje për 153.000 persona, UNHCR njofton se vitin e kaluar në botë kanë qenë 27,5 milionë persona të zhvendosur brenda vendeve të tyre, kurse 850.000 kanë kërkuar azil. Kështu së bashku në botë janë 43,7 milionë persona që janë detyruar që të zhvendosen nga vatrat e tyre, thekson UNHCR.

Palestinezët përbëjnë një të tretën e popullsisë refugjate në botë, pasuar nga afganët. Në mesin e refugjatëve janë edhe 1,7 milion irakianë, 720.000 somalezë dhe 476.000 kongolezë.

Sipas UNHCR, shumë refugjatë kanë probleme që të integrohen në vendet në të cilat jetojnë, ndërsa vendet e pasura industriale edhe pse ofrojnë kushte dukshëm më të mira, ato pranojnë shumë pak refugjatë.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment