Reagim: Papa Bendikti XVI asnjë herë nuk ka thënë se Kosova është ndonjë “djep” i popullit serb

Kisha Katolike në Kosovë shpreh shqetësimin e saj për siç thuhet “dukuri të huaja dhe të dëmshme për popullin dhe shtetin tonë”. Nëpërmjet një deklarate për media Kisha Katolike thekson se këto dukuri “rrezikojnë, edhe ashtu, gjendjen e brishtë e jostabile që kemi”, duke shtuar se “befason heshtja institucionale, politike, shoqërore dhe kulturore ndaj këtyre dukurive të dëmshme”. Gjithashtu Kisha Katolike konstaton me shqetësim se “qëndrimet dhe veprimet e papërgjegjshme, të kujtdo, mund të ndërrojnë orientimin e përcaktimit tonë të natyrshëm me demokracinë dhe qytetërimin perëndimor – evropian, të cilit tashmë me shekuj i përkasim”. Në vijim po japin tekstine plotë të kësaj deklarate: “Kisha Katolike në Kosovë, si “Nënë dhe Mësuese e mirë, për dashurinë që ka ndaj popullit të vet, ka qenë dhe mbetet gjithnjë në shërbim të mirës së tij dhe ndërmjetësuese e natyrshme mes shqiptarëve dhe Evropës, nëpërmjet mbështetjes së Selisë së Shenjtë – Vatikanit. Në kohën e fundit, shfaqen disa dukuri të huaja dhe të dëmshme për popullin dhe shtetin tonë, dukuri këto të cilat rrezikojnë, edhe ashtu, gjendjen e brishtë e jostabile që kemi. Aq më tepër na befason heshtja institucionale, politike, shoqërore dhe kulturore ndaj këtyre dukurive të dëmshme. Me shqetësim konstatojmë se qëndrimet dhe veprimet e papërgjegjshme, të kujtdo, mund të ndërrojnë orientimin e përcaktimit tonë të natyrshëm me demokracinë dhe qytetërimin perëndimor – evropian, të cilit tashmë më shekuj i përkasim. Nisur nga kjo, e shohim të nevojshme ta japim vlerësimin tonë rreth këtyre çështjeve të ndërlikuara dhe të rrezikshme për Kombin dhe njomësinë e Shtetit të Kosovës. – Vërehen simptomat e qarta se si disa individë dhe grupe po shprehin haptas tendenca për përkeqësimin e marrëdhënieve të shkëlqyera historike dhe aktuale mes Vatikani dhe Popullit tonë, sidomos Kosovës para, gjatë dhe pas Luftës. – Kjo po ndodh pikërisht tani, kur Vatikani kohë më parë e emëroi Delegatin e vet Apostolik për shtetin e Kosovës, si një shenjë e dashurisë së vazhdueshme dhe domethënëse të përkrahjes ndaj nesh. – Papa i tashëm Bendikti XVI asnjë herë nuk ka deklaruar se Kosova është ndonjë “djep” i popullit serb, ose pjesë përbërëse e Serbisë, ashtu që keqinterpretimet në ketë drejtim, jo vetëm se nuk janë të sakta, por sipas gjitha gjasave kanë prapavijë njollosëse ndaj figurës morale të Atit të Shenjtë. Kjo pa dyshim e dëmton vendin tonë, i cili edhe ashtu është në pritje për njohjeve nga shtet dhe vende, mes të cilave pritet me padurim që këtë gjë ta bëjë edhe Vatikani. Prandaj, fuqimisht kërkojmë që institucionet shtetërore dhe kulturore, akademikët dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, të gjejnë guximin dhe mënyrën për t’u përgjigjur botërisht, vendosmërisht dhe në kohën e duhur të gjitha dukurive negative që e çorientojnë të ardhmen tonë të përbashkët, hutojnë opinionin publik dhe promovojnë të pavërtetën. Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë, mund të bashkëndërtojmë të ardhmen e sigurt, bashkëjetesën në paqe dhe mbrojtjen e vlerave”, përfundon deklarata e lëshuar nga Zyra Ipeshkvnore.


(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment