PS, Klosi: Shifrat nuk rakordohen asgjëkundi

Deputeti socialist, Blendi Klosi, tha se integriteti i kutive të votimit është cenuar rëndë.“Ka kode që nuk përputhen, kutitë janë të shqyera, fletët për Bashën gjenden në kutitë e tjera. Dje qytetarët panë live në media provën e manipulimit. Me lehtësinë më të madhe një vëzhgues arriti të bëjë atë që sipas ligjit është e pamundur, duke dëshmuar se çdokush në bodrumet e errëta mund ta bëjë një gjë të tillë. Ky është integriteti i kutive të votimit. Këto kuti ruhen nga njerëzit e Saliut në Lundër e hapen nga njerëzit e Ristanit në bodrumet e KQZ,” tha Klosi.

Sipas tij, “vendimi i Kolegjit për rinumërimin e votave vetëm sa e shtriu paligjshmërinë në gjithë kutitë e kryeqytetit”.

Klosi solli më pas disa shifra. Sipas tij, në njësinë bashkiake 1 vetëm në 13 qendra ka përputhje votash. Në njësinë 2, 24 qendra kanë diferencë negative votash, 10 kanë diferencë pozitive. Në njësinë 3, vetëm 11 qendra nga 32 në total kanë përputhje votash. Në njësinë numër 4, 28 qendra votimi kanë diferenca në vota.

Klosi tha se në shumë qendra, edhe pasi janë rakorduar shifrat sipas urdhrit të Kolegjit Zgjedhor, rezulton vota më shumë se votues. E madje ka qendra ku ka vota më pak se votues, çka sipas tij presupozon se votat janë hequr.

(gazetatema.net)



No comments:

Post a Comment