Prioritet i Kosovës është integrimi evropian

Me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka filluar edhe “Java e komunave”, ndërsa me rastin e fillimit të kësaj jave kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës është procesi i integrimit evropian, duke shtuar se në këtë proces duhet të ndihmojnë edhe komunat.
Në hapjen e “Javës së komunave”, kanë qenë të pranishëm kryetarët e komunave të vendit dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që janë prezent në Kosovë.
Me këtë rast kryeministri, Thaçi ka thënë se progresi i arritur në Kosovën e pavarur, është edhe progres i të arriturave të pushtetit lokal në Kosovë, në këtë rast edhe Asociacionit të Komunave të Kosovës, si organizëm në nivel kombëtar të komunave të Republikës së Kosovës.
Shefi i ekzekutivit të vendit ka theksuar se synimi i qeverisë që ai drejton, ka qenë mbështetja dhe promovimi i pushtetit lokal, duke shtuar se deri më tani këto synime janë në rrugë të mbarë për tu arritur.
Sipas tij puna e mirë e nisur e arritjeve komunale, e legjitimuar me votën e lirë të qytetarëve, duhet vazhduar. Sipas tij, kjo punë nënkupton ofrimin e shërbimeve të përditshme, cilësore për qytetarët, krijimin e infrastrukturës për një jetë sa më të mirë deri në atë nivel që qytetarët të ndihen njësoj, sikurse qytetarët e shteteve evropiane.
Thaçi ka shtuar se një nga prioritetet e ekzekutivit të vendit është integrimi evropian, një proces që edhe komunat kanë një rol kyç.
Nga ana tjetër ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq ka shprehur kënaqësinë me punën e Qeverisë dhe komunave deri më tani.
Për më tepër ai ka shtuar se fokusi i kësaj ministrie është të mbështetet në vlerat evropiane, po ashtu duke marr pjesë aktivisht në procesin e riatdhesimit, i cili është parakusht për liberalizimin e vizave dhe për të krijuar një mjedis më të mirë për jetesë.
Gjithashtu Petroviq ka shtuar se kjo ministri ka për detyrë zbatimin e procesit të decentralizimit, që nënkupton edhe krijimin e komunave të reja në veri të Kosovës. Ndërsa për këtë ka kërkuar edhe ndihmën e të pranishmëve.
“Unë edhe njëherë do të shpreh bindjen time se qeveria do përqendrohet në prioritetet dhe do të lehtësojë anëtarësimin në familjen evropiane. Ne do ti trajtojmë këto prioritete, si qeveri dhe ministri kemi procesin e decentralizimit, përfshi edhe veriun e Kosovës dhe çfarë na duhet është mbështetja e juaj, posaçërisht në realizimin e rezultateve të mira që të jenë shembull për themelimin e komunave të reja”, ka theksuar Petroviq.
Nga ana tjetër, Bajrush Xhemajli kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, duke folur për këto 10 vite të asociacionit ka thënë se është bërë një punë e madhe.
Ndërkaq, Keith Whitmore, president i Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës, ka theksuar se bashkëpunimi ndërkomunal është shumë për rëndësi për zhvillimin e komunave.
Në 10-vjetorin e themelimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, do të shënohen disa aktivitete.

(kosovapress.com)




No comments:

Post a Comment