Porti i Shëngjinit, premtim i harruar.

Pas pesë vjet premtimesh të shumta ishte rasti i përshtatshëm që palët të ndanin një herë e përgjithmonë fatin mbi kalimin e Portit të Shëngjinit nën administrimin e shtetit të Kosovës.
Vizita dyditore e Kryeministres së Kosovës, znj. Mimoza Kusari Lila, e cila është njëherësh edhe ministre për Tregti dhe Industri, nuk solli asgjë të re lidhur me ecurinë e “projektit”, i cili nuk nisi kurrë dhe mbeti vetëm një premtim, maksimumi angazhim.

Kosova e kërkon me ngulm portin verior të Shqipërisë, si mundësi potenciale për të dalë në det, propozim ky që erdhi rreth një vit pas përfundimit të luftës.

Për herë të parë ambicia e qeverisë së Prishtinës u bë publike gjatë vizitës së Kryeministrit Agim Çeku në Tiranë (maj 2006) me homologun shqiptar, Sali Berisha, ku të dy ranë dakord që porti t’i jepej me koncesion shtetit më ri.

Që nga ajo kohë, e vetmja lëvizje konkrete ishte dorëzimi i një plani nga ana e ministrit kosovar për Ekonominë, Ahmet Shala, i cili u pasua me krijimin e një grupi pune, por vetëm kaq.

Nga vizita e zyrtarit numër dy të qeverisë së “Thaçit” dhe me tre takimet e nivelit të lartë, me Kryeministrin Berisha, ministrin e Financave, Bode, dhe ministrin e Ekonomisë, Naço, Porti i Shëngjinit nuk u “zu” me gojë.

Të paktën njoftimet zyrtare të të tria institucioneve nuk publikuan asnjë rresht fjale lidhur me projektin, sikurse kishte ndodhur në herët e kaluara.

Për të vetmen pjesë ku palët diskutuan ishin liberalizimi i tregtisë, i pasagjerëve dhe hapja e një pike doganore për Kosovën në Portin e Durrësit.

(top-channel.tv)



No comments:

Post a Comment