Pianistët e vegjël shqiptarë fitues në konkursin pianistik të Maqedonisë

Pianistë të rinj shqiptarë janë vlerësuar me katër çmime të para, dy të dyta dhe një të tretë në Konkursin e Parë Ndërkombëtar Pianistik të Maqedonisë.

Antarja e jurisë në këtë festival, pianistja Takuina Adami, në një prononcim për ATSH-në tha se përfaqësimi i talenteve shqiptare në këtë konkurs ishte mjaft dinjitoz dhe në nivele të njëjta me artistë e huaj. "Katër çmimet e para tregojnë shumë", tha Adami.

Dy prej pianistëve të vegjël, fitues të çmimit të parë, që morën edhe më shumë pikë janë Resi Prosi me 99 pikë, nga 100 maksimalet dhe Nils Lehr me 97. Të dy këta artistë të vegjël janë nxënës të Liceut Artistik "Jordan Misja" dhe kanë marrë pjesë në Festivali mbarëkombëtar "Pianisti i Ri".

Drejtoresha Artistike e këtij festivali Takuina Adami e cilësoi këtë festival si një mundësi për të rinjtë për t'u përballur me mendimet pedagogjike bashkëkohore,pasi juria ofron për ta edhe bursa.

Një ndër fituese të këtij edicioni të 16-të Festivali mbarëkombëtar "Pianisti i Ri" iu dha pianistit 13 vjeçar Kostandin Tashko, për të frekuentuar masterclassin "Pranvera pianistike 2012" në Itali.

Pianisti i ri Tashko është edhe fituesi i çmimit "Filippo Travisan", një çmim risi e këtij edicioni të festivalit që u dha në kujtim të pianistit italian Trevisa.

"Pianisti i ri", festivali që mbledh pianistë të rinj nga të gjitha trevat shqipfolëse, ndau këtë vit tre çmime të mëdha që i fituan të rinjtë: Gjergji Bejko çmimi "Crola Grindea", Llambi Cano "Lola Gjoka", si dhe Kostandin Pashko.

Në lidhje me vlerat e këtij festivali, pianistja Adami tha se "Pianisti i ri" u jep mundësi të rinjve të shpalosin aftësitë e fituara duke vënë në provë të gjithë mundësitë intelektuale.

"Gjithashtu u jep mundësi të ballafaqojnë këto aritje më ato të bashkëmoshatarëve të tyre të shkollave shqiptare dhe jashtë vendit, si dhe të vlerësohen nga një juri e shkallës ndërkombëtare me një këndvështrim bashkëkohor", tha Takuina Adami. Sipas saj, ky festival u jep mundësinë pianistëve të rinje të kuptojnë se çfarë vendi zënë në këtë profesion.

Nga "Pianisti i ri" kanë dalë disa pianistë të rinj të cilët koncertojnë në skena botërore si: Desar Sulejmani në Gjermani, Endri Nini në Gjermani dhe Angli, Klevis Gjergji në Spanjë, Dorina Komani në Norvegji, etj.

Në "Pianistin e ri", një bashkëpunim mes EPTA (European Piano Teachers Assotiation) në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Kombëtare Artistike "Jordan Misja" dhe shkollën 9 vjeçare "Servet Maçi", konkuruan këtë vit pianistë të moshës 7-18 vjeç.

Ndër fituesit e vegjël ishin edhe: Dora Bakiu çmimi "Mozart", Jonida Lazollari çmimi "Beethoven", Ivo Gika çmimi "Chopin", Llambi Cano çmimi "Liszt".


(yllpress.com)

No comments:

Post a Comment