Petritsch: Serbia nuk është gati ta njoh Kosovën.

Diplomat austriak, Wolfgang Petritsch, e ka quajtur fitore të drejtësisë së Evropës arrestimin e Ratko Mladicit. I pyetur - a mundet tani Serbia pas arrestimit të Mladicit të pranohet në BE, edhe pa njohur Kosovën si shtet sovran, Petrich ka thënë se janë dy çështje kryesore, për të cilat Serbia duhet t’i dëshmojë, “pjekuri Evropës”.

“Sigurisht që problemi më i vështirë është nga njëra anë Kosova. Duhet parë që nga të dyja palët të ketë afrim dhe që të përpiqen për të gjetur një kompromis në frymën evropiane”, ka thënë Petritsch në një intervistë për Deutsche Welle. Çështja e dytë, sipas tij, është Bosnja. “Serbia duhet të tregohen vërtetë luajale ndaj shtetit të Bosnjës, si vend fqinj, por jo si shtet, që përzihet në problemet e brendshme të Bosnjës”.

Sa i përket Kosovës, Petritsch mendon se do të zgjasë ende, deri sa Serbia ta pranojë plotësisht që Kosova nuk është më pjesë e Serbisë. “Por duhet që në këtë drejtim të shkohet në mënyrë konstruktive, që të jemi para së gjithash shumë pragmatik për të gjetur zgjidhjet: Si është me një vend fqinj? Si do të organizohet jeta dhe si do të lehtësohet jeta e të gjithë njerëzve në rajon dhe në Kosovë në veçanti, natyrisht tani për, si të thuash, pakicën e re të serbëve edhe të romëve, për të gjitha pakicat në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Petritsch, duhet para së gjithash që edhe Qeveria e Kosovës, shqiptarët në Kosovë “të jenë shumë bujarë dhe vërtet të dëshmojnë që këtu ata dëshirojnë përsëri të jetojnë së bashku në frymën demokratike të Evropës me serbët dhe kjo do të lërë një përshtypje të madhe në Beograd, që në fund të fundit, por kjo do të zgjasë shumë vite, të vihet në një kompromis”.

(telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment