Papandreu siguroi votëbesimin.

Qeveria greke mori votëbesimin e parlamentit. Rreth orës 1.00 pas mesnate me orën lokale, 298 deputetë të pranishëm në sallën e parlamentit, përfunduan votimin, në fund të të cilit qeveria mori 155 vota për dhe 143 vota kundër.

Në votim munguan deputeti i shkëputur nga PASOK, Jorgo Lianis dhe kryetarja e Aleancës Demokratike, Dora Bakojanis.

Ministri i Jashtëm, i cili ndodhej me detyrë jashtë vendit, dërgoi një letër ku sqaronte se jepte besimin për qeverinë e re.

Votimi i qeverisë u parapri nga 3 ditë debate, të cilat filluan dhe u mbyllën me fjalimin e kryeministrit Jorge Papandreu.

Ai kërkoi nga deputetët e gjithë palëve votën pro për qeverinë e tij, me qëllimin e vetëm për të shpëtuar vendin nga kriza ekonomike.

Kryeministri i drejtoi kritika të ashpra opozitës, duke thënë se qeveria aktuale po zgjidh problemet e shkaktuara nga qeveria e mëparshme e kësaj opozite.

“Kriza na ofron një mundësi unike për ndryshim dhe nëse nuk e bëjmë, historia do na gjykojë shumë rëndë”, theksoi Papandreu.

Papandreu u shpreh me besim se Greqia do t’ia dale të kalojë krizën dhe se për këtë i takon çdonjërit të marrë përgjegjësitë e veta.

Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barosso, ka përshëndetur votëbesimin që ka marrë qeveria e Papandreut.

"Bëhet fjalë për një lajm të mirë për Greqinë dhe për Bashkimin Evropian. Votimi në parlament rrëzon elementin e pasigurisë në një situatë të vështirë", tha Barosso, në një deklaratë lëshuar vetëm pak minuta pas votëbesimit.

(gazetaexpress.com)



No comments:

Post a Comment