Merren në mbrojtje dy deputetët e PS

Dy deputetë socialistë dhe kryetari i sapozgjedhur i Minibashkisë Nr.7 në Tiranë janë marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit, pas një vendimi të Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.Deputetët Besnik Bare dhe Vasilika Hysi, si dhe kryetari i Njësisë Nr.7, Erion Koka, ruhen nga oficerët e RES-it (ish-Brisku), pasi konsiderohet se janë kërcënuar dhe janë të rrezikuar pas incidentit elektoral të shkaktuar më 21 prill 2010, nga Emiljano Shullazi. Pavarësisht se ky i fundit aktualisht ndodhet në burg, pas arrestimit gjatë ditës së votimeve në Farkë të Tiranës, ku u kap me armë pa leje, policia e ka cilësuar të drejtë kërkesën e deputetëve të PS. Ata kanë bërë një kërkesë për mbrojtje në polici dhe më pas janë marrë masat e nevojshme. Në kërkesën e tyre ata pretendojnë se janë persona të tjerë që bëjnë kërcënime, por sipas tyre mund të jenë të urdhëruar nga Shullazi, të cilin ata e denoncuan në Polici pas incidentit elektoral, 2 muaj më parë.

DEPUTETET
Në kallëzimin që kanë bërë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Hysi e Bare pretendojnë se ndjehen ende të rrezikuar dhe madje janë kërcënuar nga persona të panjohur, që sipas tyre janë miq të ngushtë të Shullazit. Kërcënimet e mëvonshme që kanë marrë sipas deputetëve, janë pasojë e incidentit të 21 prillit, kur Emiljano Shullazi prishi takimin elektoral për Minibashkinë Nr.7. Për këtë arsye, ata dyshojnë se kjo formë presioni përdoret si “hakmarrje” për kallëzimin që Besnik Bare dhe Vasilika Hysi bënë në Komisariatin Nr.2 kundër Shullazit. Burime nga Policia e Shtetit thanë se dy deputetët socialistë mbrohen secili nga dy oficerë gjatë ditës dhe nga një gjatë natës, që mbikëqyr banesat e tyre. Burimet sqaruan se mbrojtja e tyre ka nisur në fund të muajit maj dhe do të vazhdojë deri në përfundim të afatit të përcaktuar me ligj që është 3-mujor, në rast se rezulton të mos ketë më rrezik për jetën e tyre. Në të kundërt, afati i mbrojtjes do të shtyhet.
KRYETARI I MINIBASHKISE
Ndryshe nga deputetët Hysi e Bare, që kanë kërkuar mbrojtje për kryetarin e Minibashkisë Nr.7, Erion Koka, kërkesa është bërë nga Drejtoria e Krimeve të Rënda. Mësohet se kanë qenë oficerët e kësaj Drejtorie që, nisur nga incidentet gjatë fushatës elektorale, eksplozivi në banesë dhe konflikti në takimin elektoral, kanë kërkuar mbrojtjen e Erion Kokës. Gjatë komisionit, Koka ka qenë dakord me kërkesën e Drejtorisë së Krimeve të Rënda dhe ka pranuar marrjen në mbrojtje. Burime nga Policia e Shtetit thanë se kërkesa që i është drejtuar Drejtorisë për mbrojtjen e dëshmitarëve bazohej kryesisht në shpërthimin që ndodhi në derën e apartamentit të Kokës në Tiranë, para fushatës. Gjithashtu, në argumentim përmendej edhe fakti që pallati ku banon familja e Erion Kokës ndodhet shumë pranë shtëpisë së Emiljano Shullazit. Ndryshe nga Besnik Bare dhe Vasilika Hysi, për mbrojtjen e Erion Kokës, Drejtoria për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë ka caktuar 4 punonjës policie për mbrojtjen e tij. Ky vendim është argumentuar me faktin se Koka është më i rrezikuar, nisur edhe nga incidentet që i kanë ndodhur.

Incidentet në fushatë

Në Njësinë Bashkiake Nr.7 në Tiranë është zhvilluar një fushatë jo e qetë zgjedhore për 8 majin. Kandidatit për kryetar, Erion Koka, iu vendos një sasi eksplozivi në hyrje të banesës, ndërsa gjatë fushatës, një miting i organizuar nga deputetët e PS, nuk qe e mundur të zhvillohej. Shkak për anulimin e takimit me banorët e zonës u bë incidenti i ndodhur me Emiliano Shullazin, i cili kërkoi heqjen e altoparlantëve dhe të fonisë, me pretendimin se po bëhej zhurmë dhe në shtëpi kishte njerëz të sëmurë.

(ETLEVA DELIA/panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment